
ELBASAN- Policia e Elbasanit ka dhënë më shumë detaje përsa i përket arratisjes së ndodhur në Elbasan këtë mesditë. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se Nazmi Liçi dhe Ervis Peqini janë shoqëruar mëngjesin e sotëm pasi ishin shpallur në kërkim për vjedhje. Pasi efektivët i kanë zbritur nga automjeti me qëllim kryerjen e procedurave për transferim në IEVP, të dy kanë mundur të largohen me vrap nga ambientet e DVP Elbasan. Peqini është kapur, ndërsa Liçi është ende në kërkim.
Njoftimi i policisë Elbasan
Mesditën e sotme, shtetasit N. L., 29 vjeç dhe E. P., 33 vjeç, pas masës së sigurisë në Gjykatën e Elbasanit, të ndaluar më datë 28.12.2024, për veprën penale "Vjedhja", pasi i kanë zbritur nga automjeti shërbimet e Policisë me qëllim kryerjen e procedurave për transferim në IEVP, këta shtetas kanë mundur të largohen me vrap nga ambientet e DVP Elbasan.
Si rezultat i veprimeve policore është bërë e mundur kapja e njërit prej tyre, shtetasit E. P., dhe vijon puna për kapjen e shtetasit tjetër, N. L.. Në lidhje me këtë rast, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj punonjësve të Policisë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin penal.