
TIRANË- Edhe pse e vënë nën sekuestro, kompania BM SHPK në pronësi të biznesmenit Ago Gjolaj që dyshohet se është pjesë e një grupi kriminal që trafikon drogë dhe ka qenë nën hetim për kontrabandë e pastrim parash, vijon të jetë aktive në treg.
Së fundmi po promovon daljen e një produkti të ri në treg “8S2”, por këtë herë, me logon ngjyrë blu dhe pa sheqer. Kompania është sekuestruar bashkë me 97 mjete, kryesisht “Lamborghini” që janë bërë pjesë e spoteve publicitare të pijes energjike. Prej 7 vitesh, Ago Imer Gjolaj nga Malësia e Madhe, ka futur në treg pijet energjike të cilat i shet me ambalazh, logo e emër fals si pije “B52”. Për të krijuar konfuzion, të njëjtën pije, Ago Gjolaj e tregton dhe me logot “852” e “8S2”. Ndërkohë që zyrtarisht në Shqipëri është vetëm një pije e certifikuar si “B52”, që ka si përfaqësuese ligjore kompaninë “Arseni Sh.p.k” me administrator Arsen Bajramin.
Nga viti 2017 dhe deri në botimin e këtij artikulli, janë ndërruar një sërë ministrash që kanë drejtuar kabinetin e Ministrisë së Financave, por asnjëri prej tyre, duke nisur nga Arben Ahmetaj, Anila Denaj, Delina Ibrahimaj dhe Ervin Mete që e mban aktualisht këtë post, nuk kanë guxuar të urdhërojnë sekuestrimin e këtij malli të falsifikuar.
Ago Imer Gjolaj duket se nuk është nga ata njerëz që ruan një profil të ulët. Përmes promove dhe reklamave, pjesë të të cilave ka bërë edhe personazhë mjaft të njohur publikë, një prej tyre dhe fituesin e Big Brother VIP2, Luiz Ejlli, ai i bën "karshillëk" drejtësisë dhe me dhjetëra automjete luksoze tip "Lamborghini", të cilat i ka veshur me logon e “8S2” dhe i përdor për të promovuar pijet jo origjinale. Prokuroria mbrohet me faktin se emri tregtar i pijes është “8S2” dhe jo “B52” siç është ajo e kompanisë “Arseni Company”. Zyrtarisht hetimet vijojnë dhe nuk dihet se si do të mbyllen. Autoritetet e Malit të Zi kanë qenë duke hetuar edhe bashkëshorten e Ago Gjolajt, Sonjela Gjolaj, e cila ka nënshkruar një kontratë për blerjen e një jahti luksoz me vlerë 300 mijë euro nga një shtetas malazez të përfshirë në veprimtari kriminale dhe pastrim parash.
Kjo vorbull skandali ka përfshirë dhe prokuroren Blerta Hamza që nisi të sulmohej pas hetimeve. Në lajme raportohej se prokurorja Blerta Hamza është kujtuar pas shtatë vitesh për nisjen e hetimeve dhe për më tepër ka dalë në konkluzione pa marrë më parë në pyetje askënd nga kompania, madje as vetë biznesmenin, Ago Gjolaj.
Në fund, pa përgjigje mbeten dy pyetje:
Deri kur shqiptarët nuk do të dine se çfarë konsumojnë?
A është kjo një nga ato përplasjet që kur nuk njihet ligji, kërcet arma dhe do të mbushin faqet e kronikës së zezë?
Ndoshta vetëm atëherë, ryshfeti nuk do të vlejë më dhe autoritetet do të zgjohen!
/ZËRI