GJERMANI-Çështjet e drogës dhe tregu i trafikimit bëhet shpesh shkaku i vrasjeve dhe torturave për ata që gabojnë apo kërkojnë terren. Në Gjykatën e Qarkut të Këlnit po trajtohet një rast ndëshkimi në botën e drogës, ku një shqiptar i preu gishtat e këmbës anëtarit të bandës që merrej me tregtinë e kokainës, pasi kishte humbur një telefon me të dhëna e klientëve.
Mediat e huaja raportojnë se kreu i bandës dyshohet se kishte blerë gjithsej rreth 200 kilogramë kokainë në disa raste, dhe bashkë me njerëzit e tij, e kishte ndarë drogën në apartamentin në Kalk për blerës të mundshëm. Viktima e kishte humbur telefonin, përmes të cilit organizoheshin shitjet. Në telefon ishin ruajtur numrat e klientëve, sipas aktakuzës. Blerësit e drogës vazhdonin të telefononin në atë numër.
Rasti i rëndë ndodhi në një apartament në lagjen Kalk, ku tregtrait të kokainës i janë prerë dy gishtërinj të këmbës me një pincë. Për më shumë se një javë, personi është mbajtur peng dhe është torturuar. Viktima ka rrëfyer torturat, ku deklaron se bashkëpunëtorët e tij donin ta detyronin të dorëzonte telefonin e humbur ose të pranonte se e kishte dorëzuar atë te policia.
Tortura brutale
Sipas aktakuzës, autorët e kanë mbytur viktimën me një copë pëlhure deri sa të humbiste ndjenjat dhe i kanë thyer një pjatë në kokë. Gjithashtu, ata i kanë mbajtur disa herë një shufër hekuri të nxehtë në ije, duke i shkaktuar djegie. Po ashtu, i kanë shtypur cigare të ndezura në fytyrë. I akuzuari 33-vjeçar, që po gjykohet aktualisht, i ka drejtuar viktimës edhe një pistoletë dhe e ka kërcënuar: “Do të të vras!”
Ai u dërgua në spital me lëndime të rënda dhe qëndroi disa ditë atje. Ndërsa aktakuza flet vetëm për një tentativë, viktima deklaroi në gjykatë se dy gishtërinj i ishin prerë realisht – mjekët në spital arritën t’ia qepnin përsëri. Në sallën e gjyqit, viktima 33-vjeçare nuk pranoi të tregonte vendbanimin aktual.
Avokati mbrojtës, Philipp Thiée, bëri një rrëfim të gjerë në emër të klientit të tij. I ardhur nga Shqipëria, babai i tre fëmijëve kishte mbërritur në Gjermani për të kërkuar punë dhe kishte përfunduar në Këln, ku jetonte një kushëri i tij. Ky i fundit e kishte përfshirë në aktivitetet e drogës. Gjatë marrjes peng, ai kishte qenë i pranishëm dhe e kishte lënduar viktimën./ZËRI