
GREQI- Zbulohen detaje tronditëse të një 22-vjeçare shqiptare që jetonte në Volos, e cila u dhunua nga bashkëshorti i saj, me të cilin ishte martuar që 18 vjeç. Sipas mediave greke, e reja shkoi në Volos që në vitin 2021 pas martesës me bashkatdhetarin e saj 28-vjeçar, i cili nuk e la të mësonte kurrë greqisht. Madje dhe e kishte rrahur kur mësoi se gjinia e fëmijës që prisnin, ishte vajzë.

Kur lindi fëmija, nëna dhe foshnja jetuan për pesë muaj me grila të mbyllura dhe pa e parë dritën e diellit. Rrahjet ishin të përditshme dhe 28-vjeçari nuk e lejonte nënën të shkonte te mjeku për vaksinimin e fëmijës dhe as të thërriste mjekun në shtëpi.
Fillimi i fundit ishte mbrëmjen e së enjtes kur e gjithë lagja u mobilizua nga të bërtiturat e të resë që sërish po dhunohej ngas bashkëshorti i saj. Fqinjët kanë dalë jashtë shtëpive dhe i përplasnin dyert, ndërkohë kishin lajmëruar edhe Policinë.
28-vjeçari kishte tentuar që të ikte nga shtëpia, por fqinjët e ndaluan derisa mbërriti policia. Kur hynë në shtëpi gjetën nënën që mbante në duar foshnjën e saj, ndërkohë vetë ishte e larë në gjak. Menjëherë është lajmëruar ambulanca dhe gruaja dhe fëmija janë dërguar në spital. 22-vjeçarja nuk dinte greqisht dhe me ndihmën e një bashkatdhetari u shpjegoi mjekëve dhe Policisë se e kishin shpëtuar pak para se të vdiste.
“Kam ngrënë dru dhe shumë herë i jam afruar vdekjes. Ai më kërcënoi se nëse ikja në Shqipëri do të vinte dhe do të vriste prindërit e mi”, tha ajo në dëshminë e saj dhe e cilësoi burrin e saj si një njeri që ndiqte rregullat e mafies.
28-vjeçari është dërguar në Polici, ndërsa nëna dhe fëmija janë nën mbrojtje me urdhër të prokurorit./Zëri.ai