TIRANË- Sot në Tiranë pritet të zhvillohet protesta e tretë radhazi kundër ndërtimit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. Tubimi është thirrur për në orën 18:00, përpara godinës së Kryeministrisë.
“Shqipëria nuk është në shitje”/ Sot mbahet protesta e tretë kundër projektit në Zvërnec: Mbrojmë tokën, njerëzit, të ardhmen
Një ditë më parë, qytetarët u mblodhën fillimisht pranë Ministrisë së Brendshme dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, në një protestë masive të zhvilluar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Protestuesit e mbyllën tubimin me mesazhin “Nesër më shumë”, duke sinjalizuar vijim të mobilizimit.
Ata kërkojnë ndalimin dhe anulimin e projektit në zonën e Zvërnecit, të cilin e konsiderojnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në një hapësirë të mbrojtur natyrore. Sipas tyre, projekti përfaqëson favorizim të interesave private në kurriz të pronës publike, ndërsa akuzojnë institucionet për mënyrën se si po menaxhohet toka shtetërore.
Gjatë protestës së zhvilluar të shtunën në zonën e Zvërnecit janë raportuar edhe momente tensioni, ku roje private sigurie kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve, ndërsa një qytetar është tërhequr zvarrë.
Në tubimin para Kryeministrisë janë dëgjuar thirrje të forta si “Rama burg, Berisha burg”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve” dhe “Shqipëria nuk është për shitje”. Përveç ndalimit të projektit në Zvërnec, protestuesit kanë kërkuar edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama./ZËRI