
TIRANË- Bledar Bërdalli, Julian Malaj, Ermal Gjeçi dhe Uljan Kapllanaj, katër mjekët e Spitalit të Fierit janë marrë të pandehur dy vite pasi mjekuan Nuredin Dumanin, i cili aktualisht është kthyer në të penduarin e drejtësisë. Dumani ishte nisur për të kryer një vrasje por ra në pritë dhe mbeti i plagosur rëndë.
Ai u mjekua privatisht dhe mjekët në fjalë i shpëtuan jetën, por harruan protokollin dhe nuk njoftuan policinë. Nuredin Dumani u lokalizua në një apartament i fashuar në kurriz. Prejvitesh kërkohej nga autoritetet dhe me rrëfimin e tij u goditën 4 grupe kriminale dhe u lëshuan 32 urdhërarreste. 11 janë ende në kërkim, përfshirë të zhdukurin Ervis Martinaj dhe Talo Çelën, ish-mikun e Dumanit, me të cilin nisi një armiqësi të përbetuar./ZËRI