
ATHINË – Të tjera detaje janë mësuar në lidhje me ekzekutimin në Athinë të kryemafiozit grek, Vangelis Zabunis.
Siç shkruan Protothema, Zabunis dyshohet se ishte kryetari i një grupi gjobëvënësish dhe vrasësish me pagesë. Ai është ndaluar disa herë nga autoritetet helene, por është liruar sërish. Kjo sepse drejtësia greke nuk ka gjetur asnjë provë, që e implikon në krime. Në vitin 2018, atij i bënë një atentat dhe shpëtoi vetëm falë faktit se atentatorëve iu bllokua kallashi. Në atë kohë, ai shpëtoi me një plagë në këmbë. Në këtë vit, u vra ‘partnerja e tij në krim’, Katerina Bella Mafia.
Pasi iu bë atentat, Zabunis rriti sigurinë personale, duke ecur vetëm me eskortë dhe vishte jelek antiplumb. Por kohët e fundit ai ecte vetëm me BMV-në e blinduar, duke hequr dorë nga masat e tjera. Mediat e vendit fqinj shkruajnë se Zabunis ka marrë garanci se jeta e tij nuk ishte në rrezik. Si lider i bandës greke dhe që njihte mirë atë që ndodhte me krimin në Athinë e në Greqi, ai mund të ketë besuar se tashmë ishte i sigurt.
Gabimisht, Vangelis Zabunis ka besuar se armiqtë e tij kishin humbur interesin për ta eleminuar. 44-vjeçari u ekzekutua në BMV-në e tij të blinduar, teksa atentatorët e qëlluan nga shumë afër. Ai ndodhej pranë karburantit, që ishte në pronësi të tij. Autorët e vrasjes qëlluan me breshëri dhe pa mëshirë mbi Zabunis, detaj që tregon se është kërkuar me çdo kusht eleminimi i tij./ZËRI/