
TIRANË- Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndaluar një oficere me detyrë Trup Shërbimi në Seksionin e Sigurisë, në Komisariatin e Policisë Rinas. Bëhet fjalë për policen e Rinasit, Sulltane Kuka, e cila akuzohet se i hoqi statusin 'Alert' makinës së Leonard Karrukajt. Ndaj edhe akuzohet për tre vepra penale: “Shpërdorim Detyre”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”. Ndërkohë me urdhër të Drejtorit të Policisë Muhamet Rrumbullaku, ish-efektivja është përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit.
NJOFTIMI I PLOTË:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës për një oficer policie me detyrë Trup Shërbimi i Trafikut Interurban dhe Urban në DVP Fier. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier – Berat) ka kryer ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, e cila ka vendosur masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj oficerit të policisë Inspektor E.P., me detyrë Trup Shërbimi i Trafikut Interurban dhe Urban në DVP Fier, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ky procedim është ndjekur në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, pas dyshimeve se oficeri i policisë, Inspektor E.P. ka kryer veprime korruptive me drejtues automjetesh, duke mos i ndëshkuar me masë administrative. AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Shërbimit Zjarrfikës, duke telefonuar falas në numrin 08009090./Zëri.ai