
BEOGRAD- Serbia shpalli non grata 14 persona nga disa vende të ndryshme të Ballkanit, mes tyre edhe dy shqiptarë duke i ndaluar atyre hyrjen në vend për 1 vit. Bëhet fjalë për Gazmir Memaj nga fondacioni “Mary Ward Loreto” dhe Edlira Lilaj nga “Organizata Help” në Tiranë. Menjëherë pas këtij vendimi kanë reaguar 320 organizata jo qeveritare, të cilat kanë dënuar veprimin e Serbisë. Qindra organizata, nga 27 vende të Evropës janë alarmuar nga ky vendim, duke bërë thirrje që të rishikohet sërish.
“Jemi të alarmuar nga ndalimi dhe dëbimi i padrejtë i qytetarëve dhe aktivistëve qytetarë nga Austria, Kroacia, Sllovenia, Rumania, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilët po merrnin pjesë në Akademinë e OJQ-ve Erste Stiftung në Beograd. Këta persona u arrestuan gjatë natës, u morën në pyetje pa prova, u etiketuan si “kërcënime të sigurisë kombëtare” dhe iu ndalua hyrja në Serbi për një vit.
Kjo pason një model ngacmimi, me dy dëbime të ngjashme të shtetasve kroatë në javët e fundit dhe një numër veprimesh represive kundër protestuesve paqësorë serbë. Që nga kjo verë, represioni kundër organizatave të shoqërisë civile serbe, aktivistëve bazë, studentëve të shkollave të mesme dhe universiteteve është intensifikuar përmes përdorimit të përgjimit të dokumentuar nga Amnesty International, paraburgimeve dhe dhunës së pandëshkuar nga grupet parashtetërore. Këtë herë, regjimi u fokusua në një grup ndërkombëtar aktivistësh qytetarë të sponsorizuar nga një fondacion me reputacion me bazë në Austri që promovon bashkëpunimin dhe mësimin rajonal.
Këto veprime, duke synuar profesionistë të respektuar dhe nisma të bashkëpunimit ndërkombëtar, sinjalizojnë armiqësinë në rritje të qeverisë serbe ndaj aktivistëve qytetarë dhe gazetarëve. Kjo shtypje ndodh në mes të protestave masive të studentëve kundër korrupsionit dhe keqmenaxhimit, të cilin regjimi duket i etur për t’i shtypur duke bërë kok turku shtetas të huaj dhe duke nxitur armiqësi ndaj vendeve fqinje dhe BE-së. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të shpjegojnë këto veprime të padrejta dhe të sigurojnë respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare duhet ta mbajnë Serbinë përgjegjëse dhe të kërkojnë respektimin e vlerave demokratike, veçanërisht si një vend kandidat për në BE.
Ne qëndrojmë në solidaritet me të gjitha viktimat e këtij regjimi dhe bëjmë thirrje për një përgjigje të bashkuar në mbarë Evropën për të mbrojtur hapësirën qytetare, paqen dhe të drejtat e njeriut në Serbi”, thuhet në reagim.
Gazmir Memaj dhe Edlira Lilaj u ndaluan nga autoritetet teksa po ktheheshin në hotel dhe iu kërkua të largoheshin nga Beogradi brenda 24 orëve, ku dhe u ndaluan të hyjnë në territorin serb me 1 vit. Menjëherë pas kësaj ka reaguar edhe ministria e Jashtme, e cila iu ka kërkuar autoriteteve serbë të rishikojnë këtë vendim, pasi ka një impakt negativ në lëvizjen e qytetarëve. Ministria ka kërkuar që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. Dy shqiptarët thanë se me datë 21 dhe 22 janar ndodheshin në Beograd me ftesë të fondacionit austriak Erste për të diskutuar “strategjitë përmes të cilave organizatat jo qeveritare mundet të krijojnë të ardhura”. Sipas tyre, ky është një aktivitet jopolitik që nuk ka lidhje me protestat që po ndodhin në Serbi muajt e fundit, ku kërkohet dorëheqja e presidentit të vendit Aleksandër Vuçiç./ZËRI