
TIRANË- Serbia shpalli non grata dy shqiptarët Gazmir Memaj nga fondacioni “Mary Ward Loreto” dhe Edlira Lilaj nga “Organizata Help” në Tiranë. Ata u ndaluan nga Policia teksa po ktheheshin në hotel dhe iu kërkua të largoheshin nga Beogradi brenda 24 orëve, ku dhe u ndaluan të hyjnë në territorin serb me 1 vit. Menjëherë pas kësaj ka reaguar edhe ministria e Jashtme, e cila iu ka kërkuar autoriteteve serbë të rishikojnë këtë vendim, pasi ka një impakt negativ në lëvizjen e qytetarëve. Ministria ka kërkuar që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.
"Sot, më 23 janar 2025, u thirr në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme Ambasadori i Republikës së Serbisë, z. Slobodan Vukçević. Gjatë takimit u transmetua keqardhja dhe shqetësimi serioz për ndalimin dhe largimin nga territori i Serbisë të dy shtetasve shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë marrë pjesë në një seminar në Beograd.
Ky veprim nuk konsiderohet në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet tona për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore, si dhe ka impakt negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve tanë. MEPJ kërkoi sqarime lidhur me këtë rast dhe theksoi nevojën që autoritetet serbe të rishikojnë dhe të marrin në konsideratë apelimin e vendimeve të marra. U kërkua gjithashtu që të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Ky rast është duke u ndjekur me vëmendje të plotë nga Ambasada Shqiptare në Beograd", thuhet në postim./ZËRI