
DURRES- Një zjarr i madh përfshiu pasditen e sotme tregun industrial në zonën e plazhit të Durrësit, ku ndodhen mbi 20 dyqane që operojnë kryesisht gjatë sezonit veror. Zjarri nisi rreth orës 16:30, dhe sipas burimeve paraprake, flakët u përhapën me shpejtësi për shkak të erës së fortë, duke përfshirë pothuajse të gjithë tregun brenda pak minutash.
Dëshmitarët dhe pronarët e dyqaneve tregojnë për dëme të konsiderueshme materiale. Një qytetar që u gjend aty tha:
“Zjarri u përhap në të gjithë tregun për gati 5 minuta, për shkak të erës së fortë. I ndihmova njerëzit që ishin aty, qoftë ata që i njihja, qoftë ata që nuk i njihja. Gjatë zjarrit dëgjuam edhe disa shpërthime të lehta në dyqanet e tregut. Në fillim erdhi vetëm një zjarrfikëse, unë telefonova që të sillnin edhe të tjera. Mendoj se ndërhyrja nuk u menaxhua si duhet, sepse zjarri vinte nga sipër, ndërsa ata punonin nga poshtë dhe nuk e parandaluan përhapjen,” tha ai.
“Kisha mall me vlerë 10 milionë lekë këtu dhe nuk arrita të shpëtoj asgjë. Ishte një fatkeqësi e madhe, humbjet janë të mëdha.”-deklaroi një tjetër.
Deri më tani, nuk ka raportime për të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme. Autoritetet vijojnë punën për të kontrolluar situatën dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Flakët u vunë nën kontroll nga shërbimi zjarrfikës./ZËRI