Aktualitet

"Ndoshta nga një qiri", Ermal Dredha: Zjarri në Hoshtimë nisi nga varrezat

Dredha kërkoi që institucionet shtetërore të angazhohen seriozisht për të identifikuar shkaktarët e zjarrit

f.g
"Ndoshta nga një qiri", Ermal Dredha: Zjarri në
Ermal Dredha, kryebashkiak i Vlores

VLORË- Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha thotë se zjarri në Hoshtimë mund të ketë nisur për shkak të një qiriu të lënë ndezur tek varrezat. Ai theksoi se flakët kanë qenë të fuqishme dhe përhapja ishte e shpejtë, por falë reagimit të shpejtë të strukturave zjarrfikëse dhe të mbështetjes nga shërbimet lokale, situata është futur pjesërisht në kontroll.

"Zjarri ka nisur në Hoshtimë, tek varrezat, ndoshta gabim njerëzor, një qiri, por kjo mbetet për tu parë. Ka qenë një zjarr masiv dhe përgjigja ka qenë masive. Një pjesë e mirë është vënë në menaxhim, kemi evituar banesat dhe njerëzit. Jemi në terren, kemi një indicie për një zjarr edhe në Nartë. Kemi situatën nën kontroll"-tha Ermal Dredha. 

Dredha kërkoi që institucionet shtetërore të angazhohen seriozisht për të identifikuar shkaktarët e zjarrit dhe për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore ata që, me pakujdesinë ose veprimet e tyre të qëllimshme, rrezikojnë mjedisin dhe komunitetin.

"Strukturat shtetërore duhet të marrin masat për të gjetur fajtorin"-tha Dredha.

Ndërsa, prefekti i Qarkut Vlorë, Plator Nesturi, deklaroi se shumica dërrmuese e zjarreve që kanë përfshirë zonën, rreth 90%, janë të qëllimshme. Ai nënvizoi se reagimi i menjëhershëm dhe i koordinuar nga të gjitha strukturat shtetërore, përfshirë edhe bashkitë e zonave përreth, ka qenë thelbësor për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe dëmtimin e mëtejshëm të banesave në Hoshtimë, Kerkovë dhe Bestrovë.

“Në këto situata, koordinimi i autoriteteve ka qenë maksimal dhe falë kësaj kemi mundur të evitojmë pasoja më të rënda për komunitetin,” tha Nesturi./ZËRI

Poll

MOS HUMB