
DURRES- Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu këtë pasdite tregun industrial pranë zonës së plazhit në Durrës, duke shkaktuar dëme të shumta materiale. Në një prononcim për mediat, prefekti i Qarkut Durrës, Emiljano Jani, dha informacion mbi ndërhyrjen e shpejtë të strukturave të emergjencës dhe ecurinë e operacionit për shuarjen e flakëve.
Ai vlerësoi kontributin e forcave zjarrfikëse nga disa qytete, përfshirë Durrësin, Shijakun, Kavajën dhe Kamzën, të cilët ndërhynë në kohë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit në tregun me mbi 20 njësi tregtare sezonale.
Sipas Janit, tregu nuk përmbush kriteret bazë të sigurisë teknike, duke qenë i ndërtuar me struktura të përkohshme dhe me instalime elektrike të pasigurta.
“Zjarri i rënë në tregun industrial është masiv, janë angazhuar të gjitha forcat zjarrfikëset e Durrësit, Autoritetit Portual, bashkive Shijak dhe Kavajë, si edhe na janë bashkuar edhe nga zjarrfikësit e Kamzës. Furnizime me bote uji kanë qenë nga të gjitha institucionet Durrësit. Dëme të konsiderueshme materiale. Ende nuk kemi një vlerësim të saktë, siç edhe nuk dimë shkakun e zjarrit.
Mendohet të jetë edhe si shkak i një shkëndije elektrike, është një treg që nuk përmbush asnjë kriter dhe kusht të sigurimit teknik. Ndaj zjarri ishte kaq masiv. Është një treg që menaxhohet nga privati.
Dëmet ishin të shumta materiale por jemi të lumtur që nuk kishte viktima dhe pasoja në njerëz.
Puna për vënien nën kontroll të flakëve vijon ende”, tha ai./ZËRI