
FIER- Një vatër zjarri është aktivizuar mesditën e sotme në kodrat me ullishte të fshatit Rërëz, në territorin e bashkisë Patos. Për shkak të kushteve të erës, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj dhe shkurre.
Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse të Patosit, Roskovecit, Lushnjes dhe Albpetrolit, të cilët po punojnë me mjete të vogla zjarrfikëse. Terreni i vështirë, i pjerrët dhe i mbuluar me bimësi të dendur, e ka bërë të pamundur ndërhyrjen e mjeteve më të mëdha zjarrfikëse.
Flakët kanë arritur të afrohen rrezikshëm pranë banesave të zonës, një kabine elektrike dhe depozitave të vjetra të naftës, duke krijuar një rrezik të shtuar për sigurinë e banorëve dhe infrastrukturës.
Operacioni për shuarjen e zjarrit vazhdon prej disa orësh dhe autoritetet paralajmërojnë se situata mbetet e vështirë për t’u vënë nën kontroll, për shkak të intensitetit të flakëve dhe kushteve natyrore./ZËRI