
TURQI- Del fotoja e arrestimit të Ibrahim Licit në Turqi, ngjarje e ndodhur rreth një muaj më parë. Siç duket edhe nga fotoja e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala, Lici pozon para kameras me tabelën e Policisë turke në duar. Mbi pllakë është shënuar dita e tij e arrestimit dhe një kod, i cili nuk dihet se çfarë kuptimi ka. Por Ibrahim Lici nuk njihej si i tillë në Turqi, pasi kishte identitet tjetër dhe dokumente të falsifikuara në emër të një shtetasi belg.
Lici, fshihej në banesën e një shoku në Stamboll, atje nga ku edhe kishte pozuar me të vëllanë për foto. Në banesën e shokut të tij, Policia turke ka gjetur një armë zjarri dhe 50 fishekë.
Nën emrin e shtetasit belg, Lici jetonte i pashqetësuar në Turqi prej vitesh duke iu shmangur drejtësisë shqiptare. Ibrahim Lici akuzohet si i përfshirë në të paktën tri vrasje në qytetin e Shkodrës, përfshirë edhe vëllezërit Bilali, ngjarje e ndodhur më 30 maj të vitit 2019. Por për këtë çështje akuzat janë rrëzuar, ndërsa në kërkim është shpallur për vrasjen e Endri Mustafës. Edhe pse Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar për arrestimin e tij, i vëllai, Hamzai tha për mediat se Lici ishte vetëdorëzuar. Sipas tij, familja kërkon azil në Turqi me pretendimin se në Shqipëri u rrezikohet jeta nga bandat kriminale, por edhe nga shteti. Pretendimin e Hamza Licit nuk e konfirmoi dot i ati, Mustafa, i cili tha se ka dërguar një person në Turqi për të marrë vesh sesi është e vërteta./ZËRI