Aktualitet

Sekuestrimi i celularëve, lihet në fuqi vendimi i GJKKO-së për gazetarin Qyno

Avokati Dorian Matlija deklaroi se gjykata ka marrë një vendim, që është në kundërshtim me standardet e Gjykatës së Lartë dhe Strasburgut.

D.XH
Sekuestrimi i celularëve, lihet në fuqi vendimi i GJKKO-së
Elton Qyno

TIRANË – Apeli i Gjykatës së Posaçme vendosi që ta miratojë vendimin e Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin e pajisjeve elektronike (celularë) të gazetarit Elton Qyno.

Avokati Dorian Matlija ka deklaruar se gjykata ka marrë një vendim, që është në kundërshtim me standardet e Gjykatës së Lartë dhe të Strasburgut. Matlija theksoi se do i drejtohet Gjykatës së Lartë me rekurs. Ai u shpreh se do të kërkohet procedim disiplinor për dy gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme dhe Apelit, që kanë firmosur vendimin.

Vendimi i Apelit të GJKKO-së për gazetarin Elton Qyno:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Daniela Shirka, sot më 06.01.2024, ora 14:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 195 akti, datë 29.12.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesit E.Q., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 501, datë 13.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për lejim sekuestroje…”, dhe vendosi:

1. Miratimin e vendimit nr. 501, datë 13.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

2. Ndalimin e publikimit të këtij vendimi në referim të nenit 103 të K.Pr.Penale.

Gazetari Elton Qyno u mbajt për rreth 11 orë në ambientet e SPAK në 14 dhjetor, dhe me një urdhër nga GJKKO iu sekuestruan dy telefonat dhe iu kontrollua banesa. Gjatë marrjes në pyetje gazetarit iu kërkua të tregonte burimin e informacioneve të cilat i kishte publikuar në media./ZËRI/

Poll

MOS HUMB