
TIRANË- ZËRI ka zbardhur dosjen e plotë të dy personave që u arrestuan për përhapje lajmesh të rreme, ndërsa në kërkim është shpallur Kushtrim Omeri, shef sektori në Agjensinë e Mbikqyrjes Policore. Në deklarimin e tij, gazetari Ervis Hasanaga tha se lajmet i merrte me porosi dhe i shkruante, punë për të cilën paguhej 600 euro. Sipas tij, lajmet ia sillte Regina Omeri. Por edhe kjo e fundit ka zbuluar shumë lidhur me atë që ka ndodhur. Gjatë marrjes në pyetje, Omeri pretendon se pronarin e portalit "Shqipnews" nuk e njeh personalisht, por lidhjen ia ka mundësuar kolegu i saj, me të cilin dyshohet se ka edhe një marrëdhënie dashurie, Kushtrim Selimi.
Në dosje sqarohet qartë që ajo dërgonte "link" (lidhje lajmesh) nga media të ndryshme dhe jo vetëm, e më pas ia niste gazetarit për publikim. Këto lajme ia dërgonte Selimi dhe kjo më pas ia kalonte gazetarit.
"Regina Omeri është pyetur se kush është arsyeja që Kushtrimi kërkonte dhe publikonte lajme të tilla në portalin Shqipneës.info dhe ka deklaruar se nuk e ka idenë se përse e bënte Kushtrimi një gjë të tillë, por në disa biseda të shkurtra që ka kryer me të pa interes nga ana e saj i bënte për arsye personale pune. Është pyetur nëse ka dijeni për ndonjë përson tjetër të përfshirë në administrimin, futjen ndryshimin apo fshirjen e të dhënave në portalin Shqipneës.Info dhe ka deklaruar se nuk ka dijeni dhe as nuk ka qënë e interesuar që ta dinte. Siç ka deklaruar dhe më sipër di që me këtë portal merret Ervisi dhe lajmet ia dërgonte Kushtrimi."
Por edhe pse zyrtare e AMP-së, pretendon se nuk kishte dijeni se po kryente një vepër penale, edhe pse duhet të jetë e mirëinformuar për ligjin, megjithatë shfaq pendesë.
"Jam shumë e penduar me veprimet që kam kryer, i kam bërë pa i menduar dhe pa pasur informacionin e nevojshëm për pasojat që mund të sillnin më pas, sepse mendoja që këto lajme mund t'i kishin publikuar edhe portale të tjera,"-shton ajo në rrëfimin e saj.
Më pas, gjithë sa tha, e mbylli me një falje. Por mesa duket nuk mjafton, pasi do të duhet që të përballet me ligjin për veprën penale që ka kryer në bashkëpunim./ZËRI