
GREQI- Athina Marula, 19-vjeçarja greke, e cila u detyrua që të abortonte fëmijën e saj nga i dashuri shqiptar është në gjendje të rëndë psikologjike. Kështu pretendojnë mediat greke. "Protothema" ka arritur që të mbledhë dëshmi nga familjarët e të resë, por edhe nga ajo vetë.
“Ajo është në shok, është mjekuar, po qan dhe gjithçka që ajo vazhdon të thotë është se ai e vrau fëmijën që e donte shumë. Ajo nuk është në gjendje të mirë psikologjike. Kur mbërrita në spital më tha se kohët e fundit po ziheshin, i bërtiste dhe ishte nervoz. Me temën e shtatzënisë ata kishin postuar foto në rrjetet sociale dhe ai ishte i lumtur. Në një foto, vogëlushja mbante ekografinë dhe të dy ishin të lumtur,”- tha tezja e vajzës për ANT1.
Më pas, tregoi edhe mënyrën sesi 27-vjeçari shqiptar, Ymer Haxhiaj, e nxorri nga shtëpia duke e gënjyer.
"Nga sa më tha vajza, ai ishte shumë xheloz për të. Ai ishte bërë nervoz ndaj edhe ajo kishte shkuar për të qëndruar me të ëmën. Një natë ai shkoi në shtëpi dhe i kërcënoi të gjithë. Ai i tha, nuk do të rrish me ta, por do të vish me mua. Gjërat shkuan mirë për disa ditë derisa të martën mbrëma i tha se do dilnin shëtitje. "Dil pak nga shtëpia dhe unë të sjell tek nëna sërish". Më pas, i nxorri pretekst që të kalonin nga shtëpia e tij sa për të marrë diçka. Aty i lidhi duart, kishte një qese me pilula, nja 5, i dha njërën, tjetrën e futi në vaginë,"-shtoi tezja.
Sipas tezes së vajzës , 27-vjeçari dinte të përdorte pilulat pasi i tha: Do të presim disa orë që ti të pish dy pilulat e tjera. Ajo ishte shumë e frikësuar, na tha se ajo bëri sikur kishte rënë të fikët dhe ai u frikësua dhe e çoi në urgjencë. Ka dëshmi se ai ka qëndruar gjithë natën me të duke e kërcënuar se ndryshe do ta vriste. Ndërkohë i merrte telefonin dhe i shkruante të ëmës sikur ishte vajza jonë dhe i thoshtë "do rri me Ymerin natën". Ishte 6 javë shtatzënë por fatkeqësisht foshnja humbi.
Megjithatë, 27-vjeçari përfundoi në pragat e Policisë, pavarësisht se mohon akuzat e ngritura nga Policia greke dhe nga e dashura e tij. Deklaratat që ajo ka dhënë ka qenë edhe më rrëqethëse.
“Ne jemi bashkë që nga gushti, e doja shumë këtë fëmijë. Para disa ditësh kisha dëgjuar të rrahurat e zemrës. Nuk më kishte thënë ta abortoja fëmijën. Nuk prisja që ai të më bënte presion për të marrë pilulën e abortit. Ai tha se fëmija nuk do të lindë. Më bëri t’i frikësohesha, thoshte “nuk më njihni mirë-do t'ju vras të gjithëve”. Thoshte se ky fëmijë nuk do të lindë, nëse nuk e pi pilulën do të vras”.
Aktualisht, e reja ndodhet ende në spital./ZËRI