TIRANË- Një tentativë për vjedhjen e të dhënave bankare dyshohet se fshihet pas një mesazhi të rremë që po qarkullon në emër të OTP Bank Albania. Një mesazh i dyshimtë, i cili pretendohet se është dërguar nga “OTP Bank Albania | Shërbimi i Klientit”, u kërkon marrësve të kryejnë një “verifikim” të llogarisë brenda 24 orëve.
Sipas mesazhit, pretendohet kërkohet një përditësim periodik për të dhënat e profilit bankar. Madje, paralajmërohet edhe kufizime për shërbimet online nëse nuk kryhet procedura e kërkuar me mesazh. Bëhet fjalë për një link të përfshirë në mesazh, për të cilin klientët udhëzohen ta klikojnë.
Gjithashtu, mesazhi përmban një ID dhe një afat të shkurtër prej 24 orësh, elemente që synojnë të krijojnë ndjesinë e urgjencës dhe ta shtyjnë përdoruesin të klikojë pa verifikuar më parë burimin.
Por, çfarë ndodh? Linku i përfshirë në mesazh nuk i përket faqes zyrtare të OTP Bank Albania, duke ngritur dyshime se SMS-ja mund të jetë pjesë e një tentative mashtrimi.
Klientët këshillohen të mos klikojnë linkun, të mos vendosin të dhëna personale apo bankare dhe të mos ndajnë kode sigurie. Në rast dyshimi, komunikimi me bankën duhet të bëhet vetëm përmes kanaleve zyrtare.
Mesazhe të tilla janë pjesë e skemave të phishing-ut, ku mashtruesit imitojnë banka apo institucione të tjera për të përvetësuar të dhënat personale dhe bankare të qytetarëve./ZËRI