
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Bujar Ajetit (Gërmizi) për zbutje të masës së sigurisë që është kërkuar ndaj tij nga SPAK. Ajeti kërkoi që të caktohej në "arrest shtëpie", por kërkesa e tij nuk është pranuar nga trupa gjykuese.
"Verifikimin e nevojave të sigurimit dhe vazhdimi i zbatimit të masës së sigurimit ‘Arrest në burg’, caktuar ndaj shtetasit Bujar Ajeti me anë të vendimit Nr.124, datë 17.11.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar,"-shkruhet ndër të tjera në njoftim.
Ajeti/Gërmizi akuzohet se së bashku me Besmir Mustafin kanë bashkëpunuar me shefin e Krimeve të Komisariatit nr.6 për vrasjen e 2 vëllezërve, Albert dhe Edmond Nelën. Shkak është një konflikt i nisur për lëndë narkotike.
Njoftimi i Gjykatës së Posaçme:
1. Kërkuesi Bujar Ajeti (Gjermizi), më datë 09.07.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: ‘1. Verifikimin e nevojave të sigurimit nëpërmjet marrjes së informacionit për hetimet e kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përsa i përket procedimit penal në ngarkim të shtetasit Bujar Ajeti (Gjermizi); 2. Zëvendësimin e masës së sigurimit të ‘Arresti në burg’, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale në masën e sigurimit ‘Arresti në shtëpi’, parashikuar nga nen 237 i K.Pr.Penal.’.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Elsa Ulliri, bazuar në nenin 246/6 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 432, datë 29.07.2024, vendosi: 1. Verifikimin e nevojave të sigurimit dhe vazhdimi i zbatimit të masës së sigurimit ‘Arrest në burg’, caktuar ndaj shtetasit Bujar Ajeti me anë të vendimit Nr.124, datë 17.11.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. 2. Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
3. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.
Tiranë, më datë 29.07.2024
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Bujar Gërmizi një prej të arrestuarve të SPAK, i cili konsiderohet si i forti i Kukësit, dyshohet se ka ndihmuar Nuredin Dumanin. Gërmizi me anë të lidhjeve të tij, ka ndihmuar Dumanin në kohën që ishte në kërkim, të kalojë disa herë pikën kufitare të Morinës duke hyrë në territorin e Kosovës dhe anasjelltas pa probleme. Bisedat në "SKY ECC" kanë zbuluar se Bujar Gërmizi, është njeriu që përmes ndërhyrjeve të tij në efektivët e policisë kufitare, mundësonte kalimin pa problem në pikën kufitare të Nuredin Dumanit. Nga SPAK, Gërmizi akuzohet për sigurim të kushteve për të kryer vrasje./Zëri.ai