Aktualitet

Raiffeisen Bank&MCA shkatërrojnë familjen Laci! U kërkojnë 18 mln lekë, rrëfimet me lot në sy: Na kërcënojnë me pronat!

Hikja dhe Limani tregojnë të prekur se kanë marrë një kredi tek Raiffeisen Bank në vitin 2019, e cila është mbyllur, por katër vite më vonë Micro Credit Albania i telefonon për tu kërkuar plot 18 milionë e 600 mijë lekë. Në mënyrë krejt të paqartë, ashtu siç ZËRI ka raportuar edhe më herët të tjera raste, Raiffeisen Bank e ka shitur kredinë e zotit Laci tek MCA. Dhe për këtë gjë, nuk është vënë në dijeni asnjë nga familjarët.

F.m
Raiffeisen Bank&MCA shkatërrojnë familjen Laci! U
Hike dhe Liman Laci

TIRANË- Hike dhe Liman Laci, nga një çift dhe familje e bashkuar, janë kthyer në dy njerëz që jetojnë të ndarë, si dy të huaj dhe hedhin akuza kundrejt njëri-tjetrit. Shkak për gjithë këtë përçarje është bërë një kredi. Dhe jo, nuk bëhet fjalë për një borxh të pa shlyer, por për një kredi që është paguar e mbyllur në çdo qindarkë. Megjithatë, rrjeta e mashtrimit me kreditë ka kapur dhe familjen Laci.

Hikja dhe Limani tregojnë të prekur se kanë marrë një kredi tek Raiffeisen Bank në vitin 2019, e cila është mbyllur, por katër vite më vonë Micro Credit Albania i telefonon për tu kërkuar plot 18 milionë e 600 mijë lekë. Në mënyrë krejt të paqartë, ashtu siç ZËRI ka raportuar edhe më herët të tjera raste, Raiffeisen Bank e ka shitur kredinë e zotit Laci tek MCA. Dhe për këtë gjë, nuk është vënë në dijeni asnjë nga familjarët.

Pjesë nga intervista e Hike Lacit:

Hike Laci: Unë jam Hike Laci, banoj në Kamëz. Jam 57 vjeçe. Kam punuar në fasoneri. Tani më kanë nxjerrë nga puna. Në vitin 2009, ka marrë një kredi bashkëshorti im, Liman Laci. Na u desht për familjen, ai e mori dhe e ka shlyer të gjithën. Ka marrë 5 milion lekë, tek Raiffeisen Bank. Dhe i ka shlyer të gjitha lekët. E ka marrë tek Raiffeisen tek Zogu i Zi sepse aty ka pas punuar ky. Tek 313-a. Polic, gardian. Aty e ka pas marrë ky dhe kredinë, vetë, pa dijeninë time. Ai e ka shlyer se sa i kalonte rroga, i merrnin lekët, edhe qorrat i japin hall. Këta i kanë bërë një kredi të dytë për ta paguar burri im kot.

Kjo gjë ka bërë që përmbaruesi Fatos Alimadhi, të cilit sot i është hequr licensa, t’i bllokojë dhe pagën zonjës Laci, të vetmin burim për të jetuar që ajo kishte kur punonte në fasoneri. Gjithashtu, me lot në sy, ajo rrëfen për ZËRI-n se po kërcënohet që të humbasë dhe dhomën ku jeton, të vetmen pronë që ka. Letrat për sekuestrim kanë shkuar dhe në dyert e prindërve të saj, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me këtë kredi.

 

Pjesë nga intervista e Hike Lacit:

Kur nisi ky shqetësim?

Hike Laci: Nisi kur më kanë bllokuar pagën mua dhe shkoj e ankohem unë. Tek përmbaruesi, Fatos Alimadhi. Dhe më thotë është thjesht një gabim, do ta rregullojmë dhe më liron pagën. Në krye të dy muajve ma bllokon prapë dhe shkoj unë e i them. Pse ma keni bllokuar pagën. Tha e kemi bllokuar se ti s’ke shlyer kredinë. Më vjen shumë keq i thsshë, pika e parë unë nuk kam asnjë lloj detyrimi ndaj jush. Ai që ka detyrim, është me rrogë, mund t’ia mbani atij bashkëshortit tim.

Zoti Alimadhi nga kush pretendonte se po ju kontaktonte, nga cili institucion?

Hike Laci: Fatos Alimadhi më thotë që ti ke detyrime pa shlyer. Shuma 18 milion e 600 mijë. I detyrohesha zyrës përmbaruese Micro Credit Albania. Shkoj atje te Micro Credit Albania. Më dalin disa vajza dhe më thonë, ti moj goc na çave kokën. Hajde këtu, paguaj lekët. Thashë unë nuk i jam borxh kujt që të paguaj lekë.

Ju tek zyra e Micro Credit keni dorëzuar ndonjë dokument që vërteton që ju e keni shlyer kredinë e Raiffeisenit dhe nuk keni asnjë detyrim ndaj tyre?

Hike Laci: I kam çuar të gjitha dokumentet, i ka çuar edhe burri. Dhe ka bërë dhe një letër burri që bashkëshortja ime nuk është në dijeni për këtë çështje, mos i bini në qafë, mos ia bllokoni rrogën, çdo gjë e keni me mua sepse unë kam kapur avokat dhe jam pëegjegjës për çdo gjë do të komunikoj vetë. E kam bërë 22 mijë lekë atë tek noterja. E çova tek zyrat përmbaruese. Prapë na kontaktojnë. Lani borxhin. Kam shkuar tek Ministria e Drejtësisë, ngela pa bukë, te Ministria e Drejtësisë shkova. Kam takuar një Avokate të Popullit dhe shumë e respektoj ka qenë shumë njeri i mirë. Më çoi tek gjyqtarja, shkova tek gjyqtrarja, më bëri letra dhe ajo e pa që mua më është bllokuar paga pa të drejtë, më caktoi një avokate, avokatja nuk ndërhyri fare për këto punë. Valentina. Më thotë gjyqtarja pa dy vula, vula e përmbaruesit dhe vula e bankës, duhen të dy vulat e njoma. I thashë shkova t’i marr nuk mi japin. Tha të vijë avokatja vetë, avokatja nuk shkoi. Ngela.

Kam gjashtë muaj pa punë. E lashe punën se nuk më pranonin në të zezë, ngaqë u deshte që të derdhen siguracione. Dhe nuk më mbante asnjë në punë. Dhe jam pa punë. Aktualisht më ka ndihmuar motra, kam pas motrën në Greqi. Më ka ndihmuar ajo. Unë kam qenë ndarë edhe më herët, po pleqëria dhe hajt më, po pasi bëri edhe këtë punë, nuk dua ta di fare. Rri me derë mbyllur.

E konsideroni fajtor bashkëshortin tuaj për këtë?

Hike Laci: Shumë fajtor është, shumë fajtor sepse tani nuk është i zoti as të ecë pas letrave. Nuk sheh mirë. Ngaqë i erdhi kredia 18 milion dhe ai ishte vetëm me një rrogë, pension të parakohshëm. 200 mijë lekë. Dhe i ka shkaktuar diabetin, marrje sysh, veshkat, është bërë gjysmë njeriu. Edhe unë kështu ngela, me shtyllën kurrizore kam shumë vështirësi. Jam shumë keq.  Të isha më mirë, do ikja jashtë shtetit. Të haj bukë, të jetoj. Kam dy djem, djemtë shohin punët e veta, hesapet e veta. Thonë, punoni, jetoni. Keni ngelur për mendtë e juaja ju thonë, nuk keni ngel për ne. Nuk kemi çfarë tu bëjmë.

Ju kanë thënë gjë për këtë dhomën, gjënë e vetme që ju keni, ku mund të jetoni, ju rrezikoni ta humbisni?

Hike Laci: Vetëm në këtë dhomë jetoj. Më kanë bërë letrat për sekuestrimin e pronave, edhe ku jam gocë, tek prindërit e mi, kanë shkuar letrat. Tek prindërit e mi. Më kanë thënë që çfarë ju përket do t’ua marr. Burri është në proces gjyqësor, se çfarë do të bëhet me atë nuk e di. Kurse unë në mëshirë të Zotit. Kam ngelur tani.

Nëse sot do të kishit përballë autoritetet shqiptare, çfarë do tu thonit?

Hike Laci: Të shihen punët, të mos i biesh më qafë askujt, pa të drejtë. Të shihet e drejta e popullit. Kam qenë dhe tek Policia, më kanë thënë policia ne nuk merremi me këto punë. Duhen letrat. Kam qenë te një avokat këtu, më ka thënë, ata s’kanë të drejtë të ta marrin pagën komplet ty. Nuk kanë të drejtë! Ku ha ti, ku rri ti, çfarë kanë menduar ata për jetën tende? Kanë bërë gabimin më të madh.

Sot Hike Laci jeton vetëm me ndihmën që i jep e motra në Greqi. Ajo është ndarë dhe nga i shoqi të cilin e fajëson për kredinë dhe kërkon drejtësi, por nuk e hedh poshtë as mundësinë për tu larguar jashtë vendit, pasi këtu e presin vetëm borxhe që nuk janë të sajat.

Dy djemtë janë kujdesur vetëm për shëndetin e Liman Lacit, i cili sot ka mbetur dhe i papunë për shkak të diabetit që i ka rënduar të gjitha organet. Pavarësisht gjendjes që është, Limani është munduar ta ndjekë çështjen dhe madje tregon për ZËRI-n se ka zhvilluar dhe takime me administratorin e Micro Credit Albania, z.Andis Gjoka, por zgjidhje nuk ka gjetur.

Pjesë nga intervista e Liman Lacit:

Liman Laci: Kur e ke marrë kredinë tek Raiffeisen Bank, 5 milionshin?

5 milion e 700 mijë lekë, i kam me dokumenta, i kam letrat aty që kanë ardhur. Në muajin shkurt apo mars, diçka e tillë, deri në nëntor të vitit 2014, domethënë në dhjetor, jam hequr nga puna. Vjen një letër nga Raiffeisen dhe më thotë paguaj kredinë urgjentisht. I them, or ti zotëri, më kanë hequr nga puna, jam në hall njëherë për njëherë derisa të gjej punë, a do filloj punë diku tjetër nuk e di, se na bënë çorap në atë kohë, e ke parasysh. Fillova, tek Rrok Gjoka, tek Rruga e Arbrit. Fillova atje për tunelin, punova një ditë a dy, nuk e di sa punova, më kapi në zemër. Erdha këtu, bëra check up-in, u vizitova, dola me diabet të lartë. Mbrapa më nxorri me zemër, me veshka, me dreq a ku e di unë. E lashë se nuk isha në gjendje.

Do më tregosh pak këtë takimin me administratorin e MCA-së, Andis Gjoka?

Liman Laci: Dhjetë herë…I kam thënë, prit, po fillova punë, do kaloj rrogën ta mbani vetë, ta mbajë ajo bankë që të jetë. Zoti Gjoka, jo këtej, jo andej.

Më the që ke pasur takime edhe me zotin Adriatik Alimadhi?

Liman Laci: Me telefon kam folur.

Çfarë ju ka thënë?

Liman Laci: Tha i kanë ndaluar rrogën (për Hike Lacin), si e kanë ndaluar, si ndalohet rroga krejt? Në fillim më tha, më fal, brenda orës do të t’i likujdoj, i hapi në fakt. I mbajti gati një vit, kur tashi, kur dolën këto historitë e Alimadhit, që e kapën, e përjashtuan, a çfarë i bënë, ia kishte pas futur letrat atje për bllokim, në emër të kësaj. Kjo (Hike Laci) e kërkonte tek unë, sikur unë jam shkaktari, ore poi k ore se nuk bëhen dy gjyqe për një çështje. Ato i bëj unë, jo ti. Unë s’kam vdekur, po pata vdekur, hiqet emri aty dhe je ti.

Aktualisht si keni ndërmend ta ndiqni çështjen, jeni në kontakt me ndonjë avokat?

Liman Laci: Jam me Idajet Beqirin, ai e ka marrë krejt. Mos e vra mendjen më tha për këtë punë se do të ta kryej unë.

Dyshja është e braktisur nga shteti dhe e ndajnë përditshmërinë në dy dhoma të ndryshme, mes borxheve dhe të drejtës së tyre që nuk dinë as ku ta kërkojnë. Prej 6 muajsh, ZËRI denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që kanë rënë pre e mashtrimeve e shitjeve të kredive dhe e institucioneve mikrofinanciare, por jo vetëm. Më herët, ZËRI ka raportuar dhe të tjera raste ku Raiffeisen Bank ka shitur kredit tek Micro Credit Albania edhe pse janë shlyer nga qytetarët. Kreditë e këqija të mikrokredive përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCA, ku në një rast, vetë gruaja e guvernatorit Gent Sejko, në postin e drejtoreshës së Tirana Bank, shiti 5 mijë kredi me një të rënë të lapsit te dyshja Olsi dhe Elda Ibro, të cilët me licencën e dhuruar nga Guvernatori nisën presionet dhe shantazhet mbi viktimat për të mbledhur paratë. Bashkë me ta, në treg janë dhe qindra zyra ligjore që ushtrojnë presion për mbledhjen e parave duke shkelur haptaz ligjin për njoftimin, kamatvonesat apo kalimin e çështjes në gjykatë. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë mikrokredie dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot? SPAK duhet ti japë një përgjigje!/ZËRI

Poll

MOS HUMB