Aktualitet

VENDIMI: Ish-zona ushtarake në Farkë privatizohet! Do ndërtohet 'Expo Albania'

Për vënien në ''jetë'' të “Expo Albania”, Qeveria ka ngarkuar Agjensinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, e cila do të jetë dhe blerësi dhe zhvilluesi i zonës.

E.K

VENDIMI: Ish-zona ushtarake në Farkë privatizohet! Do ndërtohet

TIRANË- Qeveria ka vendosur që në një sipërfaqe prej 6 hektarësh në ish-zonën ushtarake të Farkës të ndërtojë një qendër multifunksionale ku do të kryehen takime, evenimente, koncerte, por nuk do të mungojnë as njësitë akomoduese, si hotelet dhe shërbimet e tjera që i nevojiten qendrës. Për vënien në ''jetë'' të “Expo Albania”, Qeveria ka ngarkuar Agjensinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, e cila do të jetë dhe blerësi dhe zhvilluesi i zonës.

Çfarë thuhet në VKM-në e Qeverisë:

Në mbledhjen e datës 30 gusht 2023, Qeveria kaloi në buxhetin e parashikuar për vitin 2023, 23 705 000 lekë të reja, të cilat do të shërbejnë për përballimin e shpenzimeve për realizimin e procedurave të prokurimit. Para që do të "preken" nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2023. Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të mbajtur më datë 30 gusht të vitit të shkuar, ndërsa AKPT, ka hapur garën për kompaninë fituese më 29 dhjetor ku dhe ka rënditur kushtet dhe fazat e aplikimit.

Por në vendimin e marrë nga Qeveria nuk saktësohet nëse ky do të jetë një investim shtetëror apo dhe privat, pasi nisur nga fakti se në zonë do të ketë hotele dhe njësi të tjera shërbimi dhe akomodimi, i hapet rrugë investimeve private. Zona e Farkës vitet e fundit është kthyer në një tokë të “lakmuar”, sa i përket investimeve private, që përfshijnë ndërtime elitare akomodimi dhe jo vetëm.

VENDIMI:

V E N D I M 

PËR 

NGARKIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË PLANIFIKIMIT       TË TERRITORIT, SI ORGAN QENDROR BLERËS, PËR REALIZIMIN E KONKURSIT TË PROJEKTIMIT PËR PROJEKTIDETË            E ZHVILLIMIT TË TIRANA EXPO DHE PËR NJË SHTESË FONDI     NË BUXHETIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË PLANIFIKIMIT                 TË TERRITORIT, MIRATUAR PËR VITIN 2023

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 53, të                                 ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ngarkimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT), si organ qendror blerës, për realizimin e konkursit të projektimit për projektidetë e zhvillimit të Tirana Expo, një hapësirë fleksibël për ekspozita, panaire, koncerte, takime, evenimente, rekreacion dhe logjistikë.

2. Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, t’i shtohet fondi prej 23 705 000 (njëzet e tre milionë e shtatëqind e pesё mijë) lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”, për përballimin e shpenzimeve për realizimin e procedurave të prokurimit, sipas pikës 1, të këtij vendimi.

3. Efekti financiar, prej 23 705 000 (njëzet e tre milionë e shtatëqind e pesё mijë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për                 vitin 2023.

4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Pas vendimit të Qeverisë Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit ka hapur garën për kompaninitë e interesuara, “Thirrje e Hapur për Konkursin Ndërkombëtar për Projekt-Ide për EXPO ALBANIA”. Projekti do të ndahet në dy faza.

Faza 1: Shprehja e interesit, pranueshmëria dhe të përzgjedhurit. Në fazën 1 të aplikimit, kandidatët do të paraqesin përbërjen e ekipit, kualifikimet, metodologjinë e punës, si dhe deklaratën e vizionit të tyre për sitin, duke përfshirë një përmbledhje të konceptit paraprak. Kandidatët duhet të dorëzojnë kërkesat për shprehjen e interesit dhe dokumentacionin që kërkohet nga kjo Thirrje dhe DST-të.  Në fund të kësaj faze, Juria do të përzgjedhë 5 (pesë) ekipet dhe konceptet më të mira që do të përzgjidhen për të vijuar punën për fazën 2.

Faza 2: Dorëzimi i propozimeve për ide projektimi. Në fazën 2, Juria do të shqyrtojë me kujdes propozimet e ekipeve të përzgjedhura dhe, bazuar në kriteret e fazës 2, do të përzgjedhë propozimin fitues. Autoriteti përkatës do t’i japë ekipit fitues kontratën për realizimin e projektit pas negociatave dypalëshe për tarifat, afatet kohore dhe dorëzimet. Secili pres 5 ekipeve të përzgjedhura do të shpërblehet në shumën prej 40 000 euro për dorëzimin e koncept idesë.

Ndërkohë që edhe njëherë sot ka bërë thirrje që kandidatët të paraqesin vizionit të tyre për sitin, më pas, juria do të përzgjedhë 5 (pesë) ekipet dhe konceptet më të mira që do të përzgjidhen për të vijuar punën për fazën 2. Megjithatë, secili prej 5 ekipeve të përzgjedhura do të shpërblehet në shumën prej 40 000 euro për dorëzimin e koncept-idesë.

Muaji shkurt është dhe afati përfundimitar për mbylljen e dorëzimit të projekteve./ZËRI

Poll

MOS HUMB