
TIRANË – Gjykata e Strasburgut ka publikuar sot vendimin, në lidhje me vrasjen e Aleks Nikës më 21 janar 2011, në protestën e opozitës në Tiranë.
Në vendimin e gjykatës thuhet se agjentët e shtetit ‘kryen vrasjen dhe nuk e zbardhën atë’. Për këtë, foli në Top News, xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika.
Xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika kërkon që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të respektohet nga drejtësia shqiptare, që SPAK ta hetojë deri në fund çështjen dhe autorët e krimit të ndëshkohen.
Zoti Nika, sapo ka dalë vendimi i Gjykatës së Strasburgut, me siguri jeni informuar sepse keni ndjekur personalisht çështjen e nipit tuaj. Ç’do të thotë për ju ky vendim?
Mark Nika: Në emër të familjes së Aleksit, falënderojmë Gjykatën e Strasburgut. Ishte vendim që e prisnim dhe na jep shpresë për zbardhjen e vrasjes së njeriut tonë të dashur. Ne kemi shpresë që dosja do i kalojë SPAK-ut, për një hetim të thelluar dhe shterues dhe për të vendosur më në fund drejtësi. Ata që dhanë urdhëra dhe vranë në bulevard duhet të marrin dënimin që meritojnë.
Zoti Nika, ju keni bërë denoncime edhe në SPAK. Aq informacione sa keni, në cilën fazë janë hetimet?
Mark Nika: SPAK, duke interpretuar procedurat sipas interpretimeve të tyre, ata nuk kanë pranuar që ta tërheqin dosjen nga Prokuroria e Tiranës dhe të hetohej nga SPAK. Ne dyshojmë se këtu ka më tepër arsye politike sesa profesionale. Nuk ka vullnet politik që çështja e 21 janarit të zbardhet dhe fajtorët të shkojnë para drejtësisë. Ne së fundmi kemi bërë ankim në Kolegjin Penal të GJL, një rekurs dhe kemi kërkuar nga Gjykata e Lartë që çështja t’i kalojë SPAK-ut për hetim. Ne po presim dhe shpresojmë që GJL për shkak të profesionalizmit që ka, mosndikimi politik që kanë, do bëjë që çështja të shkojë në SPAK.
Çështja nga SPAK duhet hetuar nga fillimi sepse ka pasur manipulime, frikësime të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vrasjet janë politike, është e vështirë ta ndash nga krimet kundër njerëzimit sepse janë vrarë për arsye politike. Të vrarët nuk u konfliktuan me Gardën, vrasjet u bënë për të mbajtur pushtetin ose për të ardhur në pushtet. Vrasja e Hekuran Dedës është shumë pas në procedura, nuk është kryer asnjë veprim hetimor deri tani. Janë tentuar të vriten dhe 10-12 të plagosur, janë tentativa vrasjeje.
Pa një hetim konkret apo vendim gjyqësor ne nuk mund të themi se ky është fajtori. Por, Sali Berisha dhe ish-ministri i Brendshëm thanë se i kemi vrarë ne dhe Prokuroria refuzoi t’i thërrasë me idenë se janë deklarata mediatike. Ata pranuan fajësinë, kur thanë se ne vrasim këdo që afrohet te Kryeministria. Heshtja do të thotë në njëfarë mënyre pranim i sjelljes kriminale që ka bërë qeveria e Berishës.
Ju keni pritur gjatë për vendimin e sotëm. Si e morët vendimin?
Mark Nika: Besoj se Gjykata e Strasburgut do të detyrojë tashmë Gjykatën, Prokurorinë, politikën që të zbatojë këtë vendim. Ne kemi kërkuar që fajtorët të shkojnë para drejtësisë, nuk kemi kërkuar dëmshpërblime. Mbrojtja jonë ka kasetë, ku identifikohen vrasësit, urdhëruesit e vrasjeve. Nuk është zbardhur sepse ne nuk kemi besim te Prokuroria e Tiranës. Nuk kemi dorëzuar kasetën te Prokuroria e Tiranës, sepse kemi frikë se asgjësohet si provë. Ne kërkojmë që kasetën ta marrë SPAK-u.
Detaj në këtë kasetë është se është identifikuar se Ndrea Prendi ka dhënë urdhër pasi ka dalë nga zyrat e qeverisë. Ai ka thënë “qëlloni në mish”. E fill pas kësaj janë vrarë 4 vetë dhe janë plagosur mbi 10 vetë. Ne mendojmë se mund të përfshihet edhe si krim kundër njerëzimit, sepse është qëlluar mbi popullin. Berisha dhe ish-ministri i Brendshëm, që akuzohen nga ne, kanë pranuar vetë se e kanë kryer krimin. Ne nuk kemi besim te Prokuroria e Tiranës, prandaj çështjen ta marrë SPAK.
Çfarë ndodhi në 21 Janar, në protestën e thirrur nga socialistët
Në 21 janar 2011, opozita socialiste që drejtohej nga Edi Rama thirri në protestë qytetarët, pas videoskandalit Meta-Prifti, ku flitej për aferë korruptive. Protestuesit u mblodhën para Kryeministrisë, me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha.
Por, kur turma tentoi të hynte në oborrin e Kryeministrisë, situata u tensionua dhe shumë shpejt nisën të shtënat me armë nga ambienti i brendshëm. Plumbat lanë pas katër viktima: Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn.
Sali Berisha akuzoi Partinë Socialiste se donte t’i bënte puç, e fillimisht tha se vrasjet ishin kryer nga brenda turmës së protestuesve. Ndërsa opozita akuzoi si urdhërues të vrasjeve kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm e atëhershëm, Sali Berishën dhe Lulzim Bashën.
Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite. /Zëri.ai/