
SHKODËR- Fasli Hyka, 83 vjeç, i cili qëlloi me armë zjarri ndaj disa të rinjve në lagjen ‘Partizani’ të Shkodrës, do të shtrohet në spitalin e burgut. Këtë vendim për të moshuarin e ka dhënë Gjykata e Shkallës së Parë të Shkodrës.
83-vjeçari do të shtrohet në spitalin e burgut të Shën Kollit. I moshuari qëlloi me armë gjahu çifte më 9 janar në drejtim të disa të rinjve, të cilët fatmirësisht arritën që të shpëtojnë.
Prokuroria, gjykata, avokati mbrojtës, por edhe familja kanë thënë se ai e ka të domosdoshëm shtrimin në spital. Pas kontrolleve, dyshohet se 83-vjeçari ka probleme mendore.
83-vjeçari Fasli Hyka qëlloi me armë nga ballkoni i shtëpisë në drejtim të të rinjve
Kujtojmë se më datë 9 janar 2024, Fasli Hysa shkaktoi panik në një lagje të Shkodrës, pasi ka qëlluar me armë zjarri nga ballkoni i shtëpisë së tij në drejtim të 3 të rinjve. Hyka dyshohet se ka pasur një konflikt verbal me të rinjtë, për faktin se ata po bënin zhurmë poshtë pallatit. Në atë moment, ai ka marrë çiften dhe ka qëlluar në drejtim të tyre. Ngjarja ndodhi në mesnatë. Fatmirësisht plumbat e çiftes kanë qenë larg të rinjve dhe kanë dëmtuar xhamat e një makine të parkuar pranë pallatit. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar policia, që i ka kërkuar të moshuarit që të dorëzohet. Ai nuk pranoi që të dorëzohet. Në këto kushte, kanë ardhur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, që për të prangosur 83-vjeçarin, është dashur të futen nga ballkoni i banesës. Në njoftimin e policisë thuhet se i moshuari ka kërcënuar policët, duke iu thënë se do i vriste, nëse nuk largohen. Gjatë kontrollit të banesës të të moshuarit, policia gjeti një armë zjarri kallashnikov, një armë gjahu dhe municion luftarak./ZËRI/