
TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku është përgjigjur lidhur me vartësin e tij, tashmë ish-drejtorin e IT-së, Ervin Muça. Në një konferencë për mediat, Rrumbullaku tha se Muça ka qenë në detyrë, pasi ka pritur vetëm vendimin e Gjykatës së Tiranës. Megjithatë shtoi se deri pak ditë më parë, i pandehuri ka qenë i pezulluar nga detyra. Po ashtu, tha se nga vetëdeklarimi i bërë brenda strukturave të Policisë, asnjë efektiv nuk është përdorues i rrjeteve të enkriptuara "Encrochat" dhe "SkyECC".
PJESË NGA PRONONCIMI:
Sa efektivë policie kanë përdorur SKY&Enchrochat?
Rrumbullaku: Kemi dhënë një njoftim zyrtar dhe AMP është deklaruar se asnjë nga punonjësit e Policisë nuk ka deklaruar se ka përdorur aplikacionit. Nuk kemi asnjë lloj dorëheqje, nëse do kishim pasur do e kishim bërë me dije.
A keni një shpjegim sot për qytetarët se pse e keni rikthyer në detyrë Ervin Muçën?
Rrumbullaku: Ligji parashikon se në momentin që lindin problematika, nëse dotë jeni edhe vetë të mirëinformuar, do të shikoni konkretisht se në raport me problematikën, regjistrimi penal është bërë nga Drejtoria e Përgjithshme. Drejtuesi i IT ka qenë i pezulluar nga detyra. Deri në momentin kur drejtësia u prononcua mbi bazën e një vendimi gjykate, konsomova të drejtën time bazuar në rregulloren e Policisë së Shtetit./ZËRI