
TIRANË- Rreth 1 mijë efektivë policie do të zbresin në terren, për mbarëvajtjen e protestës kombëtare të opozitës, që është thirrur këtë të enjte përpara kryeministrisë. Protesta do të nisë në orën 20:00 të mbrëmjes, edhe për shkak të temperaturave të larta në të cilat ajo zhvillohet, ndërsa opozita ka marrë 4 orë leje për bllokimin e bulevardit, duke parashikuar që qëndresa të bëhet deri në mesnatë.
Sa i takon masave të marra nga policia, ato përfshijnë edhe bllokimin e qarkullimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke nisur nga ora 18:00. Në protestë do të jenë angazhuar efektivë nga të gjitha komisariatet e Tiranës, por edhe forcat shqiponja, dhe Forcat e Sigurisë Kombëtare. Këta të fundit do të qëndrojnë pas Piramidës, në gjendje gadishmërie. Po ashtu në të njëjtën zonë pritet që të pozicionohen dhe autobotët me ujë, që mund të përdoren, në rast se do të ketë një përshkallëzim të dhunës nga ana e protestuesve.
Ditën e djeshme drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku dhe ai i Tiranës Tonin Vocaj kanë mbledhur të gjithë shefat e Komisariateve të Tiranës për të analizuar planin e mbarëvajtjes së protestës. Efektivët kanë shpërndarë në grupet e tyre të brendshme fotot dhe të dhënat e personave të shoqëruar më herët për hedhje molotovi, në mënyrë që të shoqërohen sërish nëse kapen me sende plasëse me vete.
Si zakonisht, në të gjithë Bulevardin janë instaluar kamera sigurie të shtuara, me qëllim identifikimin e çdo personi që përfshihet në akte të dhunshme. Përfaqësuesit e opozitës kanë artikuluar dy kërkesa për protestën e sotme, e para është qeveria teknike deri në zgjedhjet parlamentare te vitit të ardhshëm, dhe e dyta ka të bëjë me lirimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ndodhet nën masën e arrestit të shtëpisë që prej Dhjetorit të vitit të kaluar. /ZËRI