Aktualitet

Laert Haxhiu në "lupë"! SPAK kërkon kodet e “SkyECC” nga Franca dhe Belgjika

SPAK kërkon kodet e kanaleve që i riu nga Lushnja ka përdorur në aplikacionin "SkyECC".

k.m.
Laert Haxhiu në "lupë"! SPAK kërkon kodet e
Laert Haxhiu

TIRANË- Laert Haxhiu tashmë është në Shqipëri, i izoluar tërësisht në qelinë e burgut 313 në Tiranë. Atje ku edhe pret që të përballet me akuzat e ngritura ndaj tij nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të operacionit "Asgjë nuk harrohet"! Por dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Artan (Marjus) Tafani nuk mjaftojnë! SPAK kërkon kodet e kanaleve që i riu nga Lushnja ka përdorur në aplikacionin "SkyECC".

Gazetari Elton Qyno shkruan për "OraNews" se SPAK ka kërkuar nga autoritet e franceze dhe belge kodet e aplikacioneve “SkyECC” që besohet se janë përdorur nga Laert Haxhiu, Artan Tafani, Lulzim Arapi dhe persona të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në ngjarje kriminale që kanë ndodhur në vendin tonë. Marrja e kodeve do t'i jepte akses SPAK në çdo bisedë që Haxhiu ka kryer me bashkëpunëtorët e tij, por edhe me personazhë të tjerë të botës së errët të krimit. Megjithatë, mesa bëhet me dije, kodet ende nuk kanë ardhur. 

Laert Haxhiu u arrestua në Greqi në maj të vitit 2023, 6 vjet pas masakrës me dy të vrarë në Lushnjë. Në shënjestër ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, por të vdekur mbetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Laert Haxhiu akuzohet nga autoritetet shqiptare për 16 vepra të ndryshme penale, që përfshijnë vrasje, atentate, plagosje, grabitje e shumë të tjera, të kryera në formën e grupit kriminal. Lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij, në prill, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e dënoi me burg përjetë.

I riu nga Lushnja ka qenë një nga top 5 emrat më të kërkuar të krimit shqiptar në vitet e fundit. Ngjarja që e bëri të njohur për të gjithë publikun Laert Haxhiun është masakra e Lushnjes. Laerti, asokohe vetëm 25 vjeç, ekzekutoi bashkë me shokun e tij, Orgesin, Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën. Shënjestra ishte nipi i Aldo Bares, (Shkurti), Xhulio Shkurti. Më 11 shtator 2017, ata hynë me automatik në krah në një lokal në Lushnje, duke i lënë të vdekur dy të rinjtë, ndërsa shënjestra shpëtoi. Pas arrestimit në Greqi, Laert Haxhiu u ekstradua vetëm pak ditë më parë dhe dorëzua autoriteteve shqiptare në Kakavijë në masa të larta sigurie nga policia greke. Nga pika kufitare, ai u morr në dorëzim nga Forcat Speciale “RENEA” dhe u dërgua në burgun "313"./ZËRI

Poll

MOS HUMB