
TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka zhvilluar një takim me drejtuesit vendorë. Në takimin e sotëm, në fokus ishte analiza 9-mujore, performanca e punës së çdo punonjësi të Policisë së Shtetit. Proda kërkoi nga një bilanc duke filluar nga drejtori i Drejtorisë Vendore deri te efektivët e thjeshtë.
Po ashtu, kërkoi që të mbahet nën kontroll situata me kriminalitetin, ndërkohë që shtoi se vëmendje të veçantë duhet të ketë edhe lufta kundër trafiqeve të paligjshme dhe çdo paligjshmërie që shfaqet në territor. Por pa anashkaluar edhe konfliktet dhe ankesat që bëjnë qytetarët që kontaktojnë "blutë".
Gjithashtu, Proda u kërkoi drejtuesve vendorë të Policisë të qëndrojnë në krye të shërbimeve, të ushtrojnë kontroll për zbatimin e detyrave nga vartësit dhe të jenë vigjilentë ndaj shqetësimeve dhe ankesave të qytetarëve. Pavarësisht përcaktimeve në Ligjin e Ri të Policisë që drejtuesit vendorë duhet të hyjnë në konkurrim, Drejtori i Përgjithshëm u ka kërkuar drejtuesve vendorë të Policisë të kryejnë detyrën me përkushtim sa kohë që janë në atë detyrë.
Në përfundim, Drejtori Proda ka theksuar se performanca në punë, integriteti dhe profesionalizmi janë kriteret thelbësore për një punonjës policie, dhe mbi këto kritere do të bazohet vlerësimi i secilit punonjës policie./ZËRI