Aktualitet

Mbyllen hetimet për “Partizanin”, Kraja dhe Millonai dorëzojnë në GJKKO dosjen për 5 të akuzuarit

Dy hetuesit Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai dorëzuan tashmë të përmbyllur dosjen në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

k.m.
Mbyllen hetimet për “Partizanin”, Kraja dhe Millonai
Sali Berisha

TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet lidhur me çështjen e ish-kompleksit "Partizani". Kështu, dy hetuesit Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai dorëzuan tashmë të përmbyllur dosjen në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkë me kryedemokratin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, akuzë penale është ngritur për dy biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja, si edhe noteren Andia Pustina. 

Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të "korrupsionit pasiv" të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t'iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Ndërsa ky i fundit, akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë” dhe per “pastrim parash”.

Ditën e nesërme në orën 09:00, Gjykata e Posaçme do të hedhë shortin për të caktuar trupën gjykuese për dosjen ‘Partizani’.

“Nesër, me datë 16.10.2024, ora 09:00 do të hidhet në short dosja penale, seancë paraprake (kërkesa për dërgimin e çështjes në gjyq, procedimi penal nr. 278, i vitit 2020), me kërkues Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të pandehur: Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja, Andina Pustina, Studio Pustina sh.p.k, Shoqëria Homeplan sh.p.k dhe Shoqëria Kontakt sh.p.k”, thuhet në njoftimin e GJKKO.

Në dosjen e SPAK thuhej se dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi është bërë përfaqësues i familjeve që rezultonin pronare të tokës ku ndodhej ish-kompleksi Partizani, përmes prokurave, në të cilat premtohej se do të arrinin objektivat nëse vendosnin vendosur në dispozicion 3-5% të pasurisë së tyre. E gjitha është bërë në bashkëpunim me biznesmenin Fatmir Bektashi, që është vënë zyrtarisht nën akuzë nga SPAK për pastrim parash.

Berisha dhe Malltezi ndodhen nën masën e sigurisë arrest shtëpie, që prej tetorit të vitit të kaluar. Fillimisht për Berishën u dha masa e sigurimit detyrim paraqitje, por pas refuzimit të tij për t’u paraqitur para policisë gjyqësore, GJKKO vendosi ashpërsimin e masës në arrest shtëpie, në muajin dhjetor. Ndërsa, ndryshe nga Berisha, për dhëndrin e tij u zbut masa e sigurisë, nga "arrest me burg", edhe Malltezi u la që të priste mbylljen e hetimeve në banesën e tij. 

Treshes që akuzuar që në nisje të hetimeve, më 25 shtator iu bashkuan edhe Andja Pustina dhe Xhimi Begeja. Ky i fundit, një nga trashëgimtarët e tokës ku është ndërtuar kompleksi i pallateve, akuzohet për “pastrim parash”. Për të njëjtën vepër penale do të përgjigjet edhe pustina. Ajo ishte e besuara në biznesin “Home Plan”, e krijuar me një marrëveshje verbale mes Bektashit, Malltezit dhe Begeajt. Pustina përgatiste dokumentacionin, qoftë në aspektin juridik ashtu edhe financiare për kompaninë./ZËRI

Poll

MOS HUMB