
TIRANË- Sot, Gëzim Çela do të rikthehet në Shqipëri. Përgjatë ditës së sotme, pritet që të bëhet ekstradimi nga Kosova i ish-oficerit të Forcave Speciale, i cili ndryshoi kurs duke u përfshirë në botën e krimit, që e pagëzoi me emrin "baroni". Ndaj edhe Gëzim Çela, i njohur ndryshe si ‘Baroni’ do të ekstradohet sot nga Kosova për të vuajtur dënimin në Shqipëri.
Gëzim Çela prej 2006-ës ishte në kërkim nga policia për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Bazën e kishte në zonën e Fushë Kuqes. ‘Baroni i drogës’ Gëzim Çela u arrestua më 8 dhjetor në Kosovë. Gjatë këtij operacioni, u arrestua për ndihmë ndaj tij, shefi i komisariatit të Laçit, Dritan Meta. Në momentin e arrestimit në 8 dhjetor 2023, 55-vjeçari ishte në shoqërinë e dy femrave nga Shqipëria. Nga kontrollet e ushtruara atij iu gjetën karta identiteti si shtetas i Kosovës.
Ai qarkullonte me identitet të ndryshuar si Bekim Bajraktari, ndërkohë që dyshohet se është ndihmuar nga shqiptarë të Kosovës, për t’iu fshehur kaq gjatë drejtësisë shqiptare. Gjithashtu Çela shfaqet më ndryshe dhe në pamjen e tij, ku dyshohet se ka kryer ndërhyrje estetike, në mënyrë që të mos identifikohej./ZËRI