VLORË- Një ngjarje e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Vlorë ka tronditur opinionin publik, pasi një kamarier 18-vjeçar është dhunuar nga ish-shefi i qarkullimit Vlorë. Për ngjarjen e ndodhur me kamarierin 18-vjeçar, ka ardhur një reagim edhe nga Vali Veshaj, mësuese e të riut, e cila ka ndarë detaje nga jeta e të riut. Sipas saj, 18-vjeçari ishte nxënës i shkëlqyer dhe se punonte për të siguruar shpenzimet e maturës.
“Djali është nxënësi që sapo ka mbaruar klasën e njëmbëdhjetë dhe është me dhjeta. Është me një sjellje model dhe ka pjekurinë dhe kulturën që i mungon personit përballë. Është djalë i mrekullueshëm dhe po punon për shpenzimet e maturës. Unë që po ju shkruaj jam mësuesja kujdestare e tij,”-shkruan mësuesja.
Ngjarja ka ndezur reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa kërkohet drejtësi për të riun dhe ndëshkim për autorët e dhunës. Mbi rastin ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama, i cili ka kërkuar që autori të dalë përpara drejtësisë dhe të përjashtohet përjetësisht nga Policia e Shtetit. Kamarieri është dhunuar nga Ardian Isufi, efektiv policie jashtë detyrës dhe ish-shef i qarkullimit rrugor të Vlorës, së bashku me Leart Bimon, person me të kaluar kriminale në prani të klientëve./ZËRI