
BULQIZË- Policia e Bulqizës ka nisur procedim penal për 42-vjeçarin Gentjan Fishta, brigadier, pas plagosjes së një minator. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë. Sipas Policisë, punëtori është lënduar nga shembja e disa gurqëve brenda në galeri, por fatmirësisht lëndimet nuk i rrezikojnë jetën.
NJOFTIMI I PLOTË:
Bulqizë/ Nuk respektoi rregullat që kanë të bëjnë me kontrollin e gjendjes së galerisë, e për pasojë mbeti i lënduar një punëtor, Policia nis procedimin penal për brigadierin e një subjekti minerar. Në orët e pasdites së datës 08.01.2024, gjatë punës në një subjekt minerar, si pasojë e shembjes së disa gurëve brenda në galeri, ka mbetur i lënduar jashtë rrezikut për jetën, shtetasi L.D., 50 vjeç, (me profesion vagonist në minierë), specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori për veprën penale "Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë", për një shtetas. Konkretisht nisi procedimi penal për shtetasin G.F., 42 vjeç, banues në Bulqizë, me detyrë brigadier në një subjekt minerar, në Bulqizë. Ky shtetas dyshohet se nuk ka respektuar rregullat dhe nuk ka marrë masa për kontrollin e gjendjes teknike të galerisë, me qëllim sigurimin e jetës së punëtorëve që punonin në atë galeri.