POGRADEC- Është zbardhur ngjarja e ndodhur një ditë më parë në Pogradec, ku 35-vjeçar Brian Syzo mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri. Hetimet e Policisë së Korçës kanë çuar në identifikimin e katër personave të dyshuar si autorë të atentatit, dy prej të cilëve janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Policia ka arrestuar 24-vjeçarin Nikolas Agolli, banues në Buçimas, dhe 30-vjeçarin David Prifti banues në lagjen nr. 1 të Pogradecit, ndërsa janë shpallur në kërkim M. B., 40 vjeç, banues në lagjen nr. 2, dhe E. A., 22 vjeç, banues në Buçimas.
Sipas hetimeve, katër të dyshuarit dyshohet se kanë organizuar sulmin ndaj 35-vjeçarit Brian Syzo, me të cilin kishin konflikte të mëparshme. Ata kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tij, ndërsa ai ndodhej i parkuar në lagjen nr. 3 të Pogradecit, me qëllim eliminimin e tij.
Policia bën me dije se njëri prej autorëve kryesorë u lokalizua dhe u arrestua vetëm pak minuta pas ngjarjes, falë reagimit të menjëhershëm dhe ndjekjes së pandërprerë nga efektivët. Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar tre automjete dhe gjashtë telefona celularë, të cilët do t'i nënshtrohen ekzaminimeve për të dokumentuar plotësisht ngjarjen.
35-vjeçari i plagosur vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale "Vrasja me paramendim", kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, si dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".
Njoftimi i Policisë:
Pogradec/Zbardhen rrethanat e ngjarjes së djeshme, identifikohen 4 autorët e dyshuar të tentativës për vrasjen me armë zjarri të një 35-vjeçari.
Arrestohen 2 prej tyre, shpallen në kërkim 2 të tjerët (të katërt me precedent penal për krime kundër personit).
Njëri prej autorëve kryesorë u vu në pranga disa minuta pas ngjarjes, pas ndjekjes së pandërprerë nga Policia.
Sekuestrohen 3 automjete dhe 6 aparate celularë.
Në vijim të veprimeve intensive hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur dje, në lagjen nr. 3, Pogradec, ku u plagos me armë zjarri, në këmbë, një 35-vjeçar, u identifikuan 4 autorët e dyshuar të ngjarjes, të katërt me precedent penal për krime kundër personit.
2 prej tyre, shtetasit N. A., 24 vjeç, banues në fshatin Buçimas, dhe D. P., 30 vjeç, banues në lagjen nr. 1, Pogradec, u vunë në pranga, ndërsa 2 të tjerët, shtetasit M. B., 40 vjeç, banues në lagjen nr. 2, Pogradec, dhe E. A., 22 vjeç, banues në fshatin Buçimas, u shpallën në kërkim.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, për shkak të konflikteve të mëparshme me shtetasin B. S., 35 vjeç, kanë tentuar ta vrasin atë duke e qëlluar me armë zjarri, gjatë kohës që ai ndodhej në automjetin e tij, të parkuar në lagjen nr. 3, Pogradec.
Njëri prej autorëve kryesorë u lokalizua dhe u arrestua vetëm pak minuta pas ngjarjes, si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe ndjekjes së pandërprerë nga shërbimet e Policisë.
Gjatë veprimeve hetimore u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 3 automjete dhe 6 aparate celularë.
35-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Vrasja me paramendim", kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".
Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme, 29 qershor, në Pogradec, ku i plagosur në këmbë ka mbetur Brian Syzo. 35-vjeçari është njër emër i njohur për policinë pasi rezulton me precedentë penalë. Autori i dyshuar i ngjarjes, 24-vjeçari Nikolla Agolli, është arrestuar nga policia pas një ndjekjeje disa minutëshe, duke u kapur në Prrenjas. Ndërkohë, vijon kërkimi për armën e krimit, e cila dyshohet se është hedhur në një zonë pranë liqenit. Sipas burimeve pranë hetimit, dyshohet se në zanafillë të ngjarjes qëndron një konflikt i hershëm mes palëve. Burimet bëjnë me dije se Agolli ishte plagosur në janar të vitit 2025 në një berberhane në lagjen nr. 1 të Pogradecit. Për atë ngjarje u dyshua si autor Sindi Syzo, vëllai i Brian Syzos, ç'ka ka ngritur dyshime se plagosja e ndodhur sot mund të jetë vazhdim i të njëjtit konflikt. Ndërkohë, grupi hetimor po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./ZËRI