TIRANË-Çështja e pronave në jug të vendit vijon të mebtet një nga dosjet më të ‘nxehta’. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) më 26 qershor kreu disa kontrolle të befasishme në banesat e ish-zyrtarëve të Hipotekës së Vlorës dhe në zyrat e vetë institucionit, ku në fokus ka qenë tjetërsimi i pronave. Aksioni u lidh kryesisht lidhur me hetimin mbi procedurat e regjistrimit dhe administrimit të pronave në zonën e Zvërnecit, si dhe ato në bregdetin e Orikumit, Radhimës dhe zonës së Dukatit.
Pas aksionit mbi të cilin ende nuk ka një njoftim zyrtar nga Prokuroria, në faqen zyrtare në rrjete sociale të ‘Disidentët’ janë publikuar disa dokumente në cilat Fatjon Veizaj, ish-deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës, së bashku me familjarët e tij dhe shtetas të tjerë, rezultojnë të jenë pronarë të mbi 200 hektarëve tokë në Radhimë- Orikum- Dukat.
Dokumentet e publikuara tregojnë se Fation Veizaj rezulton bashkëpronar në një sipërfaqe prej 154 mijë metrash katrorë në Dukat të Vlorës, së bashku me disa persona të tjerë. Po ashtu, ai figuron me kuota bashkëpronësie edhe në tre pasuri të tjera në Orikum, me sipërfaqe totale mbi 17 mijë metra katrorë.
Bazuar imazheve, Fation Veizaj rezulton bashkëpronar në një sipërfaqe prej 154,178 m² tokë në Dukat të Vlorës, ku zotëron 15/96 pjesë të pasurisë, së bashku me disa bashkëpronarë të tjerë. Po ashtu, ai figuron me kuota bashkëpronësie edhe në tre pasuri të tjera në Orikum, me sipërfaqe 14,144 m², 2,750 m² dhe 618 m², ku në secilën prej tyre zotëron 1500/40000 pjesë.
Ish-deputeti rezulton të ketë prona edhe në tre pasuri të tjera në Orikum, si dhe bashkëpronar në disa prona me sipërfaqe të konsiderueshme në zonën bregdetare të Vlorës.
Lidhur me tjetërsimin e pronave Prokuroria e Vlorës ka shpallur moskompetencën dhe ia ka përcjellë dosjen Prokurorisë së Posaçme, e cila, bazuar edhe në kallëzimet e depozituara nga banorë të zonës, ka regjistruar procedimin penal. Kallëzimet janë depozituar nga një grup banorësh të Orikumit, Rradhimës dhe Dukatit, të cilët kanë kërkuar hetim për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim dokumentesh” dhe për dyshime për veprimtari në kuadër të një “grupi të strukturuar kriminal”.
