TIRANË- Emiljano Nina, kushëriri i Ervis Martinajt, është arrestuar nga policia pasi u kap me armë te dera e shtëpisë së Ilir Selmanit. Ky i fundit u lirua pak ditë më parë nga Gjykata e Apelit të Posaçëm, për shkak të mbarimit të afateve të paraburgimit në fazën e gjykimit. Frika e një arratisje të mundshme të tij, ka çuar SPAK-un të kërkojë masa shtesë të sigurisë në shtëpinë e Ilir Selmanit.
Selmani, akuzohet si njëri nga autorët e vrasjes së ish-policit, Santiago Malko, në gusht të vitit 2019 në Tiranë. Në 19 qershor 2026, Apeli i GJKKO-së ka pranuar kërkesën e të pandehurit duke konstatuar humbjen e fuqisë së masës “Arrest në burg” për shkak të kalimit të afateve ligjore të paraburgimit.
Paralelisht me këtë çështje, Ilir Selmani, është i pandehur dhe nga prokuroria e Elbasanit, për akuzën e “Futjes së sendeve të palejuara në burg” pasi SHKB-ja e burgjeve gjatë kontrollit në burg i kapi një aparat telefon.
Ndërkohë, Emiljano Nina gjithashtu është një personazh i njohur për policinë e Shtetit pasi është përfshirë në disa ngjarje. Bëhet fjalë për Emiljano Nina, i cili shkaktoi aksidentin e rëndë në datën 22 Gusht në Tiranë, ku mjeti BMV që ai drejtonte çau trafikndarësen te Liqeni Artifical dhe përfundoi në korsinë e dedikuar për vrapuesit. Nina është kushëriri i të shumëkërkuarit të drejtësisë Ervis Martinaj./ZËRI