
TIRANË- Është zbardhur dëshmia e Klered Bozhanajt, i cili plagosi pasditen e të mërkurës efektivin e policisë Edlir Alleshi, në zonën e Porcelanit në Tiranë. Burime për Zëri.ai bëjnë me dije se Bozhanaj është pyetur dy herë nga grupi hetimor pasi ka dyshime se ai vuan nga probleme të shëndetit mendor, e për pasojë pritet ti nënshtrohet dhe një ekspertize. Mësohet se para grupit hetimor Bozhanaj është shprehur: Jam komandant i Pentagonit!
Plagosja e efektivit të policisë ndodhi pasditen e të mërkurës, ku Bozhanaj iu përgjigj me plumba thirrjeve të policisë për ta kontrolluar pas dyshimeve që kishte armë. Për arrestimin e tij u angazhuan 600 efektivë policie, ndërsa kontrolli u shtri në disa qytete përveç Tiranës.
Si rezultat ai u vu në pranga mbrëmjen e djeshme teksa po i afrohej banesës së tij në rrugën “Hysen Dura”, në zonën e Oxhakut. Bozhanaj ka bërë rezistencë ndaj Policisë, por në fund i janë vendosur prangat.
Në momentin e arrestimit, 42-vjeçarit iu gjet me vete dhe arma pistoletë me të cilën kishte qëlluar në drejtim të efektivit Alleshi. Ndërkohë ndaj tij është ngritur akuza e vrasjes së punonjësit të policisë e mbetur në tentativë.
-
Plagosi efektivin e "Shqiponjave", arrestohet autori
21 Shtator, 19:59
Policia dha dhe shpërblim financiar për qytetarët që do të jepnin informacion për vendndodhjen e Bozhanajt, për shkak të rrezikshmërisë së tij, pasi që në momentet e para kishte dyshime se autori i plagosjes së efektivit kishte probleme të shëndetit mendor.
Ai kishte jetuar për shumë vite në Itali, dhe vetëm në muajin Gusht ishte kthyer në Tiranë, ndërkohë që më herët nuk kishte qenë i skeduar për ngjarje kriminale. Sa i takon gjendjes së efektivit Alleshi, ai fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Traumës, ku iu nënshtrua dhe një ndërhyrjeje kirurgjikale. /Zëri.ai