
VLORË - Moti i keq dhe me erë ka sjellë pezullimin e lundrimit detar në Vlorë. Kapiteneria e Vlorës njofton se dita e sotme ka sjellë erë me një shpejtësi 20-25 m/s në drejtimin jug-juglindje.
Për shkak të kësaj situate meteorologjike dhe detit me dallgë që shkojnë 4-5 ballë brenda gjirit të Vlorës dhe 6-7 ballë në det të hapur, Kapitaneria ka njoftuar të gjitha mjetet lundruese të vogla, peshkarexhat, mjetet turistike që të mos dalin në det për shkak të erës së fortë dhe detit me dallgë.
Është njoftuar gjithashtu se tragetet e linjës Vlorë-Brindizi dhe anijet e transportit ndërkombëtar do të vijonë lundrimin normalisht. Situata e përkeqësuar e motit pritet të zgjasë deri mesditën e datës 24 shtator 2023.
Njoftim për përkeqësim të motit në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj
Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj gjatë datave 22-23-24.09.2023 duke filluar nga ora 08:00 datë 22.09.2023 në drejtimin Jug-Jug-Lindje në forcën deri 6bft me shpejtësi ere deri 15m/s, dhe lartësi dallge deri 2.50m brenda gjirit të Vlorës dhe jashtë gjirit të Vlorës në forcën deri 7bft me shpejtësi ere deri 25m/s dhe lartësi dallge nga 2.00 deri 2.50 metra.
1.ËSHTË NDALUAR DHËNIA E LEJE - NISJES GJATË DATAVE 22-23-24.09.2023 DUKE FILLUAR NGA ORA 08:00 PËR TË GJITHA MJETET E VOGLA LUNDRUESE, ANIJEVE TË PESHKIMIT QË OPEROJNË JASHTË GJIRIT TË VLORËS DHE JANË NJOFTUAR PËR MARJEN E MASAVE PËR SIGURIMIN E TYRE.
2. MJETET E VOGLA LUNDRUESE DHE ANIJET E PESHKIMIT QË OPEROJNË BRENDA GJIRIT TË VLORËS TË KENË NË KONSIDERATË KUSHTET E PARASHIKUARA TË PËRKEQËSUARA DHE MARJEN E MASAVE PËR SIGURIMIN E TYRE.
3. Janë njoftuar drejtuesit e anijeve të peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese për situatën e përkeqësuar dhe për merrjen e masave për sigurimin e mjeteve në vendet e akostuara dhe parandalimin e ngjarjeve dhe situatave gjatë datave 22-23-24.09.2023
4. Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve.
5. Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 12:00 të datës 24.09.2023./Zëri.ai/