
SHKODËR- Një plagosje me thikë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të premteje në qytetin e Shkodrës, në lagjen Skanderbeg. Burime bëjnë me dije për Zërin se i plagosur ka mbetur i riu Amatio Gjoka, pas një sherri për motive të dobëta. Mësohet se ai është dërguar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë policia ka identifikuar autorin shtetasin A.Gj, të cilin e ka shpallur në kërkim.
“Dëmtoi me mjet prerës (thikë), një 22-vjeçar, gjatë një konflikti të çastit, Policia identifikon autorin dhe vijon kërkimet për kapjen e tij. Rreth orës 09:10, në lagjen “Skënderbeg”, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, shtetasi A. Gj., 26 vjeç, ka dëmtuar me mjet prerës (thikë), shtetasin A. Gj., 22 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, i cili po merr asistencë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe vijojnë krehjen e zonës, me qëllim kapjen e 26-vjeçarit. Ndërkaq, grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit“, thuhet në njoftimin e policisë.
Plagosi me thikë 22-vjeçarin, arrestohet pas disa orësh autori i ngjarjes në Shkodër
Policia me anë të një komunikate për mediat, tha se është arrestuar autori i plagosjes sot në Shkodër. Efektivët e qytetit verior lajmëruan se autori është prangosur, pas disa orësh ndjekjeje.
“Plagosi me (thikë), gjatë një konflikti të çastit një 22 vjeçar, Policia pas disa orësh ndjekjeje kapi dhe vuri në pranga autorin e dyshuar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër menjëherë pas identifikimit se shtetasi A.Gj., ka dëmtuar me mjet prerës (thikë), një 22-vjeçar, janë venë në ndjekje dhe pas disa orësh ndjekjeje dhe kërkimesh bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit,shtetasit A. Gj., 27 vjeç, banues në fshatin Grude e Re. Ky shtetas dyshohet se më datë 16.02.2024 rreth orës 09:10, në lagjen “Skënderbeg”, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka dëmtuar me mjet prerës (thikë), shtetasin A. Gj., 22 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, i cili po merr asistencë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia./ZËRI