
ITALI- Bledar Dedja dyshohet të jetë vrarë për çështje nderi. Mediat italiane shkruajnë se hetuesit janë fokusuar në një pistë të re për të zbardhur masakrimin me thikë të 39-vjeçarit shqiptar, i cili u gjet në pyll me pantallonat e të brendshmet e ulura.
Sipas Il Gazzetino, gruaja dyshonte se i shoqi po e tradhtonte dhe dy vite më parë e kishte hetuar përmes një dedektivi privat, pasi dhe marrëdhënia mes tyre ishte ftohur edhe pse asnjëri nuk kishte vendosur t'i jepte fund, ndoshta për hir të dy fëmijëve të tyre të vegjël.
Karabinierët janë fokusuar në rrethin e njohjeve të kopshtarit shqiptar: po shqyrtojnë bisedat, profilet sociale, tabulatet e telefonit por edhe klubet që ai frekuentonte. Karabinierët kanë marrë në pyetje rreth 30 persona, duke përfshirë miqtë dhe të afërmit e viktimës, i cili u godit me thikë të shtunën në pyllin e Paderno del Grappa dhe u gjet mëngjesin tjetër nga miku me të cilin kishte një takim për të shkuar për peshkim. Rrethanat e zbulimit, vendndodhja e krimit - një zonë që frekuentuar për takime klandestine dhe inati me të cilin janë shkaktuar mbi njëzet plagët me thikë (përfshirë atë fatale në mushkëri) çuan menjëherë në dyshimin se bëhej fjalë për një krim pasioni. Për të zgjidhur misterin, hetuesit mbështeten në kamerat publike dhe private që po ekzaminohen, pasi videot mund të jenë vendimtare për të kuptuar se me kë po takohej Dedja.
Nesër në mëngjes, hetuesit do të mbërrijnë në Pieve për të analizuar skenën e krimit dhe makinën e 39-vjeçarit, ‘Mercedes Benz’, i parkuar njëqind metra nga pika ku mbeti i vrarë.
Hetuesit besojnë se kopshtarit shqiptar mund t’i jetë lënë takim në vendin e krimit duke përdorur si karrem një person me të cilin kryente marrëdhënie dhe se pikërisht në ato momente intime është sulmuar nga pas nga një person tjetër, për çështje nderi. Ndërkohë, autorizimi për trupin ka mbërritur nga Prokuroria dhe familjarët do ta varrosin në fshatin Vorrozen të Kavajës, në Shqipëri, vendi ku dhe ka lindur.
-
Bledar Dedja në 'kurthin' e takimeve online
26 Janar, 20:03 -
-