
FRANCË-Një krim tronditës është regjistruar të dielën në lagjen Teisseire të Grenoble në Francë, ku në një atentat mafioz është vrarë një shqiptar dhe janë plagosur tre të tjerë. Mediat franceze kanë publikuar identitetin e viktimës, ku bëhet fjalë për 47-vjeçarin Ylli Bezhani, i cili ka marrë 5 plumba në trup. Po ashtu kanë mbetur të plagosur rëndë edhe djali 24-vjeçar dhe nipi 21-vjeçar i viktimës, si dhe një tjetër shqiptari, të cilët po marrin trajtim në spital.
Ngjarja ndodhi pak para orës 20:00 në një zonë të qetë të qytetit, rreth 100 metra larg nga kryqëzimi me Avenue Paul-Cocat. Autori i cili lëvizte me një skuter elektrik hapi zjarr drejt shqiptarëve. Ai shkarkoi karikatorin e tij drejt tyre dhe më pas u largua menjëherë. Policia është në kërkim të tij por deri më tani nuk ka asnjë informacion.
Besohet se mes dy grupeve ka pasur përplasje, por po verifikohen të gjitha pistat e mundshme, përfshi edhe ato që kanë të bëjnë me bizneset ilegale./ZËRI