DURRËS- Ish-drejtoresha e Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, vijon të jetë në qendër të vëmendjes edhe pas ndryshimit të masës së sigurisë ndaj saj dhe daljes nga qelia. Këtë herë, në hetim është vënë në gjendje të lirë djali i saj, i cili dyshohet se ka goditur me grushte një efektiv policie jashtë shërbimit në Durrës.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në lagjen nr.6 të qyetit të Durrësit, ku dyshohet se djali i Matajt së bashku me 18-vjeçar, janë konfliktuar me një efektiv 25-vjeçar, të cilin e kanë goditur me grushte në rrethana ende të paqarta.
"U proceduan penalisht në gjendje të lirë 2 shtetas 18-vjeçarë, D. B. dhe A. M., pasi në lagjen nr. 6, Durrës, pas një konflikti të çastit, në bashkëpunim, kanë goditur me grusht shtetasin D. H., 25 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime fizike", njoftoi policia.
Kjo ngjarje vjen në një kohë kur emri i Elisabeta Matajt vijon të jetë i lidhur me një tjetër çështje nën hetim. Ish-drejtoresha e Postës së Durrësit la qelinë më 25 shtator, pas vendimit të Gjykatës së Durrësit, e cila zëvendësoi masën e sigurisë “arrest në burg” me “arrest në shtëpi”.
Mataj ndodhej në paraburgim që prej muajit korrik, nën hetim për dyshimet mbi përvetësimin erreth 69 milionë lekëve të rinj (700 mijë euro), fonde të destinuara për pensionet në degët e Postës në Shijak dhe Krujë. Ajo është një nga tre zyrtaret e Postës së Durrësit të përfshira në hetim. Në korrik, ish-shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana u lanë që në fillim në “arrest në shtëpi.
Sipas hetimeve, rreth 69 milionë lekë të rinj, të parashikuara për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale në degët e Postës në Shijak dhe Krujë, dyshohet se nuk janë arkëtuar. Prokuroria dyshon se shuma është përvetësuar në bashkëpunim nga tre të arrestuarat. Për këtë çështje është regjistruar procedim penal për veprat penale “shpërdorimi i detyrës” dhe “vjedhja duke shpërdoruar detyrën”. Sipas Prokurorisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë muajve prill dhe maj të vitit 2026.
Elisabeta Mataj u shkarkua nga detyra më 14 korrik dhe u kallëzua në Prokurori nga vetë institucioni, pas konstatimit të parregullsive gjatë një kontrolli të brendshëm./ZËRI