
TIRANË- Sot nis viti akademik në të gjitha universitetet e vendit. Rreth 120 mijë studentë pritet të ndjekin studimet në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë gjatë vitit akademik 2026-2027. Mes tyre janë edhe rreth 20 mijë studentë të rinj të cilët këtë vit nisin për herë të parë studimet universitare.
Përpara nisjes së procesit mësimor universitetet kanë vijuar përgatitjet për pritjen e studentëve. Në disa prej institucioneve të arsimit të lartë viti i ri akademik do të shoqërohet edhe me hapësira të reja dhe ambiente të modernizuara.
Këtë vit, degët më me prioritetet dhe që kanë tërhequr interes janë: Mjekësi e Përgjithshme, Sromatologjia, Inxhinieria, Arkitektura dhe Teknologjia e Informacionit.Sa i përket zgjedhjes mes universiteteve publike dhe private, edhe këtë vit universitetet publike mbajnë peshën kryesore të pranimeve. Rreth 70% e të rinjve kanë zgjedhur universitetet publike, ndërsa 30% kanë preferuar universitetet private.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka rihapur aplikimet për raundin e tretë të pranimeve në universitete. Kandidatët që dëshirojnë të vijojnë studimet e larta mund të plotësojnë formularin A1Z përmes portalit “e-Albania”. Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit më herët, aplikimet do të jenë të hapura deri më 6 tetor, nga ora 08:00 deri në 16:00, përmes portalit “e-Albania”.
Më 21 tetor kur dhe do të përmbyllet i gjithë procesi i regjistrimit parashikohet numri të kalojë mbi 21 mijë studentë./ZËRI