
TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka depozituar një rekurs në Gjykatën e Lartë kundër masës së sigurisë “detyrim paraqitje” për dosjen “Partizani”. Përmes rekursit në Gjykatën e Lartë, Berisha synon të kundërshtojë këtë masë sigurie, duke kërkuar një rishqyrtim të vendimit.
Berisha ka deklaruar se nuk ka asnjë arsye përse të rrijë në këtë masë sigurie. Kryedemokrati është shprehur se prokurorët e SPAK kanë kërkuar vendosjen e masave të sigurisë kundrejt tij me arsyetimin se ai po sulmon Prokurorinë e Posaçme dhe gjykatën. Ish-kryeministri u paraqit për herë të fundit në SPAK më 3 mars, në përputhje me vendimin e gjykatës.
Aktualisht Berisha është në liri, por me masën "detyrim paraqitje", 2 herë në javë. Berisha është nën hetim për korrupsion pasiv në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Ndërkohë, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet në “arrest shtëpiak”, akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”./ZËRI