
TIRANË- Një incident me kabllot elektrike ka shkaktuar shkëputjen për më shumë se 1 orë të energjisë elektrike në zonën e Shkozës në Tiranë. Sipas informacioneve të marra, kabllot elektrike 20 kV kanë marrë flakë për arsye që ende nuk dihen. Por përveç Shkozës, nga defekti janë prekur edhe zona të tjera si: Rruga e Elbasanit, Uzina e Autotraktorëve, Brryli, Shkolla e Bashkuar, Ali Demi dhe zona e Freskut.
Këto zona janë pa energji elektrike prej të paktën gjysmë ore.
Sipas OSHEE, për shkak të flakës në kanalin e kabllove 20kV të një prej fiderave të NST Traktora, sot rreth orës 13.27, janë stakuar për masë sigurie çelësat 20kV të transformatorit duke lënë pa tension NST Traktora.
Aktualisht, grupet e avarisë së Tensionit të Lartë janë në terren dhe po punojnë për rregullimin e defektit dhe rikthimin e energjisë elektrike tek të gjitha zonat e mbetura pa tension si pasojë e stakimit të energjisë./ZËRI