
LEZHË-Një aksident automobilistik i trefishtë është regjistruar mesditën e kësaj të mërkure në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, në afërsi të fshatit Balldren. Konkretisht, një autobus i punonjësve italianë të kampit të emigrantëve të Gjadrit është përplasur me një kamionçinë dhe një makinë.
Nga aksidenti i cili ndodhi rreth orës 12:00 mbeti i plagosur drejtuesi i autoveturës i cili është dërguar me urgjencë për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Lezhës, nga ku mësohet se ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha jashtë rrezikut për jeten.
Dyshohet se kamionçina po lëvizte në drejtim të Balldrenit kur është ndeshur ballë për ballë me autoveturën që po tentonte të parakalonte autobusin, në një segment ku sinjalistika nuk e lejon diçka të tillë. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes, teksa për shkak të aksidentit, trafiku në këtë segment rrugor u bllokua për rreth një orë, duke shkaktuar radhë të gjata automjetesh. /ZËRI