Aktualitet

Trafik armësh, Elbasan-Maqedoni dhe falsifikim dokumentesh! 3 në pranga, si funksiononte grupi

Në krye të grupit ishte Dhimitër Peqini, i cili organizonte trafikimin e armëve drejt Maqedonisë së Veriut dhe falsifikimin e dokumenteve.

F.I
Trafik armësh, Elbasan-Maqedoni dhe falsifikim dokumentesh! 3 në
armët e sekuestruara

ELBASAN-Tre persona janë arrestuar në Elbasan për trafik të armëve dhe falsifikim dokumentesh. Përkatësisht në pranga kanë përfunduar Elban Coniku, 52 vjeç, Dhimitër Peqini, 59 vjeç dhe Artan Lila, 47 vjeç.

Në krye të grupit ishte Dhimitër Peqini, i cili organizonte trafikimin e armëve drejt Maqedonisë së Veriut dhe falsifikimin e dokumenteve. Ky i fundit bashkëpunonte me Elban Conikun për trafikimin e armëve, ndërsa me 47-vjeçari për falsifikimin e dokumenteve.

Dokumentet e ndryshe si pasaporta, karta identiteti, leje qëndrimi dhe dëshmi aftësish, falsifikoheshin në banesën e Artan Lilës. Në banesën e këtij të fundit u gjetën dhe sekuestruan 20 dokumente të dyshuara të falsifikuara (shqiptare, bullgare dhe maqedonase) dhe pajisje që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale. Gjatë operacionit u sekuestruan gjithashtu 3 armë zjarri kallashnikovë, 3320 fishekë luftarak dhe një granatë.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Organizatori”.

Sekuestrohen 3 armë zjarri kallashnikovë, 3320 fishekë luftarak, granatë defensive dhe 20 dokumente të dyshuara të falsifikuara (shqiptare, bullgare dhe maqedonase).

Vihen në pranga 3 shtetas (organizatori i 2 veprimtarive kriminale në fushën e trafikimit të armëve dhe falsifikimit të dokumenteve, si dhe dy bashkëpunëtorët e tij).

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe ata të Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Elbasanit, pas një hetimi 4-mujor, me metoda speciale, finalizuan operacionin policor të koduar “Organizatori”.

Si rezultat i operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi Dh. P., 59 vjeç, banues në Elbasan, i cili organizonte trafikimin e armëve drejt RMV-së dhe falsifikimin e dokumenteve.

Gjithashtu, gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit E. C., 52 vjeç, banues në Gramsh, dhe A. L., 47 vjeç, banues në Elbasan.

Nga hetimet rezulton se 52-vjeçari, bashkëpunonte me 59-vjeçarin për trafikimin e armëve, ndërsa 47-vjeçari bashkëpunonte me 59-vjeçarin, për falsifikimin e dokumenteve.

Gjatë kontrollit në banesën e 47-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 20 dokumente të dyshuara të falsifikuara (shqiptare, bullgare dhe maqedonase) dhe pajisje që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.

Gjatë operacionit “Organizatori”, në fshatin, Çekin, Gramsh, shërbimet e Policisë iu bënë shenjë ndalimi automjeteve që drejtoheshin nga  shtetasit Dh. P. dhe E. C. Nga kontrollet, u gjetën të fshehura në bagazhe, 3 armë zjarri kallashnikovë, 3320 fishekë luftarak dhe 1 granatë, që nga hetimet rezulton se do të trafikoheshin drejt Maqedonisë së Veriut.

Më tej, gjatë hetimeve rezultoi se shtetasi Dh. P., në bashkëpunim me shtetasin A. L., falsifikonin në banesën e këtij të fundit, dokumente të ndryshme (pasaporta, karta identiteti, leje qëndrimi dhe dëshmi aftësish), shqiptare dhe të huaja.

Vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë të përfshirë në këto veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB