
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pushuar çështjen për kryebashkiakun socialist të Libohovës, Leonard Hida. Ky i fundit ishte marrë i pandehur nga SPAK pasi e akuzonte se lejoi kultivimin e kanabisit në 2021, gjatë kohësh kur shërbente si shef krimesh. Por në seancën e sotme, çështja u pushua me argumentin se nuk është vërtetuar se është kryer vepra penale e shpërdorimit të detyrës.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e akuzonte Hidën për shpërdorim detyre, gjatë kohës që ka qenë shefi i krimeve në komisariatin e Policisë së Gjirokastrës. Kjo pasi Prokuroria e Posaçme kishte ngritur dyshime se në kultivimin e drogës në disa zona të ndryshme të Gjirokastrës, të kenë qenë të implikuar punonjës policie.
Bashkë me Hidën, në dosjen e SPAK janë të përfshirë dhe zyrtarë të tjerë policie, që dyshohet se përmes ryshfetit kanë favorizuar kultivimin e kanabisit, por duket se për GJKKO, këto pretendime nuk qëndrojnë.
Hide është zgjedhur kryetar bashkie në Libohovë nga radhët e Partisë Socialiste, në zgjedhjet e 14 Majit të vitit 2023 dhe ende qëndron në detyrë./ZËRI