
FUSHË-KRUJË-Një shpërthim me eksploziv është raportuar mbrëmjen e djeshme (4 mars) në murin e jashtëm të një punishte sallami në Fushë Krujë, në lagjen “Ish Grumbullimi”. Dyshohet se rreth 200 gramë eksploziv i është vënë në murin e jashtëm të punishtes. Mësohet se biznesi është në pronësi të shtetasit Dorjan Miri.
Në momentin e shpërthimit, në fabrikë nuk ndodhej askush dhe fatmirësisht, nuk ka patur të lënduar, përveç dëmeve materiale. Vetë pronari i punishtes ka qenë ai që ka denoncuar ngjarjen në Polici. Miri ka deklaruar për mediat se nuk ka konflikte apo probleme me njeri dhe nuk e di se kush mund ta ketë vendosur lëndën plasëse.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 06:50, në Stacionin e Policisë Fushë Krujë, është paraqitur shtetasi D. M., i cili ka deklaruar se gjatë natës, në rrethimin e jashtëm të biznesit të tij, ka shpërthyer lëndë plasëse. Si pasojë ka patur dëme të vogla materiale. Shërbimet e Policisë, së bashku me grupin hetimor, shkuan në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave të rastit, si dhe për fiksimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./ZËRI