
TIRANË- Një 29-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasinë 2024-në ka tentuar të vrasë me armë zjarri kushëririn e tij. Mario Nela akuzohet se, në bashkëpunim me babanë dhe vëllanë e tij, ka tentuar të ekzekutojë me armë zjarri kushëririn e tij, Ervin Nela.
Ngjarja ndodhi në shtator të 2024, kur Mario Nela kishte mbërritur nga Gjermania në Shqipëri dhe takimi i tij me Ervis Nelën përfundoi me plagosje. I plagosuri, Ervis Nela, shkoi vetë në një spital privat ku mori ndihmë mjekësore. I ati dhe vëllai Gentjan Nela, dhe Emanuel Nela janë arrestuar më herët në lidhje me ngjarjen.
Njoftimi i policisë:
Në shtator 2024, tentoi të vriste me armë zjarri, kushëririn e tij, kapet dhe vihet në pranga 29-vjeçari. I ndaluari e kreu krimin në bashkëpunim me babanë dhe vëllanë e tij, të cilët u kapën nga Policia, menjëherë pas ngjarjes.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, mbi vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar për krim kundër personit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Tiranë, finalizuan operacionin e koduar “Lokacioni”.
Në kuadër të operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi M. N., 29 vjeç, të cilit Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me babanë dhe vëllanë e tij, shtetasit G. N. dhe E. N., gjatë një konflikti më datë 11.09.2024, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, kushëririn e tij, shtetasin E. N. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Dyshohet se Mario Nela plagosi të afërmin e tij, Ervis Nela, me armë zjarri, pas një konflikti të ndodhur për pazare droge në Gjermani. Bëhet me dije se të dy kishin pasur disa mosmarrëveshje për çështje droge në Gjermani, të cilat kishin rënë dakord t’i zgjidhnin në Shqipëri./ZËRI