
TIRANË-Apeli i Gjykatës së Posaçme ka caktuar datën dhe orën për ankimimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe katër biznesmenëve, Elman Abule, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula dhe Meriman Palushi për ndryshimin e masave të sigurisë. Seanca do të mbahet më 11 mars në orën 10:00. Ankimi do të shqyrtohet nga gjyqtari Engert Pëllumbi.
Kryebashkiaku Erion Veliaj u arrestua me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “detyrim paraqitjeje”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Elman Abule, ndaj të cilit rëndon akuza e pastrimit të parave. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI